Sipas studimit, Covid-19 mund të sulmojë sistemin nervor

Lajmi vjen pas raportimeve të mëparshme që shumë pacientë COVID-19 pësojnë humbje të aftësisë për të nuhatur, reduktim të ndjesisë së aromave dhe shtrembërim të ndjenjës së shijes.

Shkencëtarët po mësojnë çdo ditë informacione të reja lidhur me virusin e ri pandemik. Një studim i disa pacientëve të prekur nga COVID-19 në Wuhan, ku nisi dhe përhapja, zbuloi se koronavirusi mund të çojë në komplikime serioze neurologjike për të paktën një të tretën e të gjithë pacientëve.

Shkencëtarët vëzhguan 214 të infektuar të shtruar në një spital të këtij qyteti kinez, dhe raportuan se më shumë se 35% e tyre kishin komplikime neurologjike, duke përfshirë nivele të ulëta të vetëdijes, goditje në tru dhe dëmtim të muskujve.

Gjetjet e tyre, të botuara në revistën shkencore “JAMA Neurology”, zbuluan se jo të gjithë pacientët me dëmtime neurologjike shfaqin simptoma të zakonshme të Covid-19, domethënë dhimbje të fytit, kollë të thatë dhe diarre.

Lajmi vjen pas raportimeve të mëparshme që shumë pacientë COVID-19 pësojnë humbje të aftësisë për të nuhatur, reduktim të ndjesisë së aromave dhe shtrembërim të ndjenjës së shijes. Këto simptoma, janë tjetër dëshmi që vërtetojnë se si koronavirusi i ri mund të ndikojë në tru, transmeton A2News.

Në një studim tjetër, Unioni Kombëtar i Dermatologëve-Venereologëve të Francës, ka raportuar se kushte të caktuara dermatologjike të lëkurës mund të shoqërohen me infeksionin Covid-19.

Në një njoftim për shtyp, organizata tha se këto simptoma përfshijnë shfaqjen e ekstremiteteve të morthit, urtikarie kalimtare dhe skuqje të vazhdueshme, ndonjëherë të dhimbshme, të lëkurës.