Sistemi TIMS rikthehet në punë në 6 pika kufitare

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka dhënë informacione lidhur me funksionimin e sistemit TIMS në pikat kufitare, pasi ato u ndërprenë përkohësisht ditën e djeshme, si rrjedhojë e sulmit kibernetik, që sipas qeverisë u krye nga Irani. https://www.monitor.al/pas-e-albania-goditet-edhe-sistemi-tims/

Ministri tha në rrjetet sociale se sistemi TIMS është rikthyer në 6 pika duke përfshirë këtu edhe aeroportin e Rinasit dhe po punohet për të rikthyer shërbimin edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar.

“Përgëzime ekipit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për punën pa ndërprerje që nga minuta e parë e sulmit kibernetik, për të rivënë në funksionim sistemet tona dhe veçanërisht atë TIMS. Gjithashtu falënderoj partnerët amerikanë që kanë qenë pranë edhe në këtë rast e po bëjnë çdo përpjekje për ta bërë Shqipërinë sa më të sigurt.

Prej mesnatës sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas. Po kështu është rivënë në punë edhe në pikat e tjera kufitare të vendit: Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë.

Aktualisht ekspertët tanë po vijojnë punën e pandërprerë për rikthimin e sistemit TIMS në Pikat e tjera të  Kalimit Kufitar si dhe po marrin masat nevojshme për të mos pasur më ndërprerje. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve që janë ndeshur me vonesa. Ne kemi punuar prej momentit të parë kur u detektua sulmi kibernetik, për të garantuar mbi të gjitha paprekshmërinë e të dhënave dhe më pas për rikthimin në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme”, shkruan ai.