“Skandali 400 mln € i inceneratorëve”, Meta: Tregues se po qeveris një grup i strukturuar kriminal

Presidenti Ilir Meta ka komentuar aferën e inceneratorëve, ndërsa theksoi se ky është tregues se po qeveris një grup i strukturuar kriminal

Meta tha se “Hetimet nuk mund të ecin dhe të shkojnë atje ku duhet dhe ku është, sepse burimi i problemit është në selinë e Këshillit të Ministrave.”.

Pjesë nga intervista

Pyetje: Ju e konsideruat takimin me ish-kryeministrin Berisha, si një takim që nuk kishte të bënte me marrëveshjen që u bë mes tij dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim?
Presidenti Meta: As nuk ka pasur lidhje me atë marrëveshje dhe as nuk mund të kishte.

Pyetje: Por ishte një takim çmallje!
Presidenti Meta: Po, ishte një takim në të gjitha kuptimet letrare-poetike. Por, kjo gjë as nuk ka pasur, as nuk ka, dhe as do të ketë lidhje me çështjet politike të opozitës, apo të një pjese të opozitës.

Pyetje: I jepni zë, me entuziazëm asaj që përfaqëson Sali Berisha për ju, duke e keni quajtur së fundmi dhe Presidentin e përjetshëm?
Presidenti Meta: Jo të Përjetshëm, të Përgjithshëm Po!

Pyetje: Po Sali Berisha ka ndonjë epitet për ju?
Presidenti Meta: Është kënaqësia ime, të jap disa vlerësime për të, këto unë i kam dhënë dhe më parë. Unë kam një dobësi për të, dhe e kam thënë dhe më herët këtë gjë, ja kam thënë dhe Edi Ramës që, kur isha në koalicion me të.

Pyetje: Doktori ka një rikthim në politikë dhe është ndjeshëm aktiv. Ndërkohë që, pritet dhe një rikthim i juaj, besoj ju do jeni një dyshe e fortë opozitare?
Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të hyj në këto raporte, si raportet njerëzore, raportet e vlerësimit për shkak të asaj që, zoti Berisha ka arritur në jetën e tij.
Mos të harrojmë është një njeri, që vjen nga fshatrat më të largëta të veriut të Shqipërisë, dhe me punën e vet arriti në majat e shkencës dhe të mjekësisë, por edhe në rolin e tij të jashtëzakonshëm në proceset demokratike të vendit. Qëndrimet tona nuk kanë qenë gjithmonë në të njëjtën linjë.

Pyetje: Historia juaj është armiq-miq me njeri-tjetrin!
Presidenti Meta: Kjo gjë ka të bëjë më zgjedhjen që, bën gjithsecili. Raporti im është me vendin, me interesin kombëtar, me demokracinë, me pluralizmin politik dhe Kushtetutën. Unë në këto raporte kam qenë gjithmonë koherent, dhe jam i lumtur për këtë koherencë. Marrëveshjet që, kanë qenë të detyruara në kohë dhe me aktorë të caktuar, nuk varen thjeshtë nga dëshira ime, ato varen dhe nga realiteti politik dhe nga roli që, i cakton gjithsecilit votuesi dhe qytetari shqiptar.

Pyetje: Zoti Berisha në vitin 2009, kur e pyetën pas vendimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për hyrjen në qeverinë e zotit Berishës, i kujtuam akuzat që kishte bërë ndaj jush atëherë tha: “fjalë kazani” duke iu referuar Faik Konicës. Por, në të gjitha këto vite në shikojmë në mënyrë të vazhdueshme tek të gjithë protagonistët e politikës, disa të vërteta dhe gjysmë të vërteta thuhen jo në kohën që ato, duhen thënë! Në opinionin publik krijohet ideja, dhe mosbesimi ndaj tyre është më i fortë në ditët e sotme, që politikanët i përdorin këto, sipas strategjisë së tyre politike dhe jo në shërbim të publikut?
Presidenti Meta: Ky është një vlerësim i juaji. Unë personalisht ndihem shumë i qetë, sepse vë re që, besimi i njerëzve tek unë, nuk mungon.
Jo vetëm thjesht si President, këtë gjë e kam të provuar me manifestimin e 2 Marsit, por edhe si Ilir Meta dhe ndihem shumë komod me këtë raport.
Besoj se, pavarësisht nga zgjedhje apo raporte të caktuara, që nuk është se janë në dorën time, për t’i zgjedhur apo për t’i imponuar. Por ato, varen dhe nga rrethanat, nga votat dhe nga zgjidhjet që duhen dhënë. Koherenca ime si Ilir Meta, ka qenë absolute për demokracinë, pluralizmin, integrimin europian, mbrojtjen e Kushtetutës dhe që, Kushtetuta nuk mund të ndryshohet asnjëherë pa referendum, dhe këtë gjë e kam thënë që në vitin 2008 në mënyrë të vazhdueshme. Unë gjithmonë i kam shërbyer këtyre kolonave shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë më interesin e të gjithë qytetarëve shqiptar në tërësi.
Koherenca ime ka qenë absolute dhe jam shumë krenar për këtë!

Pyetje: Zoti President ju flisni për koherencë, por edhe zoti Berisha dhe Edi Rama, flasim për koherencë, por edhe Lulzim Basha po bën vite tashmë në politikë. Ndërkohë, Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë. Pra ju, mbroni të gjitha këto mekanizma dhe ne, nuk ja dalim në këtë drejtim të ndërtojmë një shtet pa korrupsion!
Presidenti Meta: Nëse kapet Reforma në Drejtësi, siç edhe është kapur, atëherë kush do ta luftojë korrupsionin dhe si do të luftohet ai? Presidenti dhe Presidenca, ka qenë institucioni më transparent gjatë gjithë kësaj periudhe. Në kohën që, Kuvendi i Shqipërisë drejtohej nga Ilir Meta, ka qenë edhe ai institucioni më transparent. Mund t’ju them që në kohën që, Ilir Meta ka qenë kryeministër, asnjë vendim Qeverie nuk merrej pa konsensusin e të gjithë Qeverisë. Mjafton që të shikoni dhe studioni se, vetëm afera e inceneratorëve 400 milion euro, e paguar nga taksapaguesit shqiptarë dhe do kuptoni se çfarë grupi i strukturuar kriminal e qeverisë këtë vend.

Dhe këto fakto janë denoncuar nga Ilir Meta dhe aktorë të tjerë, prej më shumë se 1 viti. Hetimet nuk mund të ecin dhe të shkojnë atje ku duhet dhe ku është, sepse burimi i problemit është në selinë e Këshillit të Ministrave. Kemi ministra që, janë larguar nga detyra për shkak të kundërshtimit, që i kanë bërë kësaj afere dhe paligjshmërisë së saj. Kemi disa ministra të Drejtësisë dhe drejtorë që, e kanë kundërshtuar ketë, pra kemi gjërat më të rënda që kanë ndodhur atje, dhe për një kohë të gjatë është ekspozuar kudo. Pavarësisht se, ne këtu, kemi drejtësi me regji për të prodhuar lajme, sepse bëhen koka turku, për të shpëtuar kokën e vërtet të orkestrimit të gjithë këtij korrupsioni dhe të kësaj kleptokracie.