Solidariteti i korrupsionit

Nga Redi Shehu

Një ndër problemet më të zakonshme gjatë gjithë kohës tonë të tranzicionit, është padyshim korrupsioni akut. Aq i zakonshëm është ky problem, sa korrupsioni është kthyer në sinonim të identiteti të vetë shtetit dhe shoqërisë tonë. Padyshim që korrupsioni është një plagë në të gjitha shoqëritë, por, ama dallimi me shoqëritë e standartizuara është se ata e kanë futur atë brënda korrnizave të kontrollueshmërisë duke e mbajtur përhapjen e tij në minimalet e veta. Problemi tek ne bëhet akoma më i madh, sepse korrupsioni nuk është thjesht i tillë, ai është fenomen akut i cili përfshin të gjitha shtresat shoqërore dhe të gjitha nivelet institucionale. Ai është kthyer tashmë në pothuaj identitetin e dytë tonin e për rrjedhojë edhe lufta dhe shkëputja prej tij kthehet një sfidë e vështirë për t’u fituar.

 

Nëse jetohet në një shoqëri ku norma me të cilën ajo gjallon është të mos respektuarit në masivitet të ligjeve dhe normave të vendosura atje, atëhere korrupsioni është i përhapur në nivelet më të larta të tij. Ai jo vetëm që përhapet në mesin e individëve apo grupeve të caktuara, por ai krijon edhe “solidaritetin” rreth tij. Njerëz të tërë të cilët punojnë dhe jetojnë brënda solidaritetit të korrupsionit, ku çdo njëri jep një dorë që ingranazhi i pisët i tij të mund të funksionojë duke ndotur mundësisht këdo.

 

I gjithë ky solidaritet i ndërtuar rreth tij e ka një burim i cili përfshin së pari trashëgiminë shoqërore institucionale të komunizmit dhe tranzicionit, ku të mirat publike në pjesën e parë konsideroheshin të shtetit dhe si e tillë, marrja dhe grabitja e tyre ishte një formë mbijetese për këdo dhe formë rezistence ndaj padrejtësisë që ai shtet kishte shkaktuar. Pra, një solidaritet nën vuajtje, një solidaritet për të marrë atë që padrejtësisht një shtet totalitar i kishte grabitur njerëzëve. Më vonë, në tranzicion, inercia e konsiderimit të të mirës publike si plaçkë lufte, vazhdoi tashmë nën një dimension të ri atë të ekonomisë së tregut dhe kapitalit. Përhapja e tij tashmë fitoi veti gjithpërfshirëse duke u ngritur në të gjitha nivelet shoqërore. Në gjithë këtë atmosferë solidariteti korruptiv, një ndihmë të madhe dhanë mentaliteti klanor dhe shpesh jo urban i popullsisë, por më shumë se çdo gjë tjetër sterilizimi fetar dhe bjerrja e shpirtit gjatë periudhës komuniste, duke ndërtuar prototipin e njeriut pa reference morale, i cili lehtësisht hidhej një prehrin e aksionit korruptiv pa anjë dilemë shpirtërore.

 

Të gjitha këto shkaqe historike e shoqërore, sollën rrënimin e besimit si kapital shoqëror jo vetëm tek autoriteti hyjnor, por edhe atë të rrënimt të besimit ndaj institucioneve të vendit, Në këtë moment një shoqëri e cila nuk ka një autoritet moral të kultivuar për shkak të mungesës së fetares dhe një besimi të rrënuar ndaj institucioneve të vendit të tij, atëhere është pre’ e çdo veprimi amoral në thelb. Të ndodhur pa referencë, dhe pa besim në institucione, individi shqiptar iu kundërvu çdo aksioni antikorrupsion me një farë solidariteti të nënkuptuar që i vinte nga historia jo e largët e komunizmit.

 

Në sondazhin e fundit të organizuar nga “Euronews Albania” lidhur me rryshfetin në shoqërinë shqiptare,  del se 29% të familjeve shqiptare u është kërkuar rryshfet këto 12 muajt e fundit, nga zyrtarë apo punonjës të sektorit publik. Ndërsa 27.7% e familjeve shqiptare kanë paguar rryshfet në përfaqësuesit e këtyre institucioneve. Pyetjes se sa prej atyre që u është kërkuar rryshfet kanë paguar, del se 97% përqind e qyetarëve shqiptartë kanë paguar duke çuar në maksimum masën e atyre të cilët i përgjigjen kërkesës korruptive. Parametra të tilla janë alarmante për të treguar se në çfarë niveli ndodhet rryshfeti si formë e korrupsionit të vogël, imagjinoni se sa në çfarë niveli ndodhet pastaj korrupsioni i niveleve më të larta. Po nga ky sondazh, del se nivelet më të larta të marrjes dhe dhënies së rryshfetit ndodhin në institucione si spitale me 75.5%, në Bashki me 20% dhe polici me 18.8%. Kurse në nivel rajonal Shqipëria zë vendin e parë për shkallën e dhënies së rryshfetit në 34%, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina me 27%, Serbia me 22%, Bullgaria me 17%, Mali i Zi me 12% dhe në fund, Kosova me 10%.

 

Këto të dhëna empirike tregojnë se edhe pas dekadash lufte kundra korrupsionit, ai përsëri ka vazhduar të ngelet plaga më e rëndë e cila prodhon padrejtësi shoqërore në zinxhir duke u nisur që nga deformimi i votës dhe pushtetit politik e deri tek kriminalizimi i shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Në këtë pikë, gjëja e parë që të vjen në mend është fakti se masat e marra, ligjet apo edhe reformat antikorrupsion nuk kanë qenë fokusuar në shkakun real të korrupsionit, por në pasojat e tij. Si e tillë, e gjithë kjo nismë antikorrupsion shëronte përkohësisht tek-tuk ndonjë pasojë, por ama pa luftuar burimin nga i cili korrupsioni buron brënda shoqërisë tonë.

 

Burimet thelbësore nga i cili korrupsioni gjallon, bazohen në këto deformime; I pari është deformimi i jetës ekonomike, i dyti është deformimi i jetës politiko-institucionale dhe i treti është deformimi psikologjik dhe besimor i një shoqërie. Në të tre këto burimë korrupsionit shohim se shoqëria shqiptare ka dështuar me sukses. Jeta ekonomike e jona është përqëndruar në grushtin e një pakice miliarderësh të cilët kanë kapur të gjithë shtetin dhe hendeku i pabarazisë sociale është në kulmin e ashpërsisë së vet. Jeta politike dhe institucionale e jona përshkohet në tërsinë e saj nga nga korrupsioni partiak , i cili është premisa kryesore e cila prodhon të gjitha korrupsionet e tjera. Ndërsa jeta psikolgjike dhe besimore e jona është në fazën e avancuar të kaosit pikërisht se dy burimet e para politike dhe ekonomike kanë çorientuar jetesën e përditshme të individit shqiptar duke i humbur atij kuptimin dhe domethënien  e jetës. Pasi kanë bllokuar në mënyrë institucionale çdo rrugë që të çon drejt pasurimit shpirtëror, vrarë qetësinë individuale dhe familjare, pasi e kanë kthyer individin në një qënie konsumi dhe një garues pa moral për përfitime afashkurtra, ankohen sot se shqiptari është njeriu më i korruptuar në rajon dhe se për këtë fajin e ka predispozia e tij kulturore apo historike.

 

Vënia nën e kontroll e korrupsionit të të gjitha formave dhe të të gjitha niveleve, arrihet pasi masat institucionale dhe ligjore të fokusohen të burimet nga rrjedh ai. Mjaft më me luftëra antikorrupsion fasadë, shifrat alarmante të sondazheve tregojnë se Shqipëria pas tre dekadash ka bërë hapa prapa në lidhje me këtë drejtim, dhe e ka çuar fenomenin në shkallën akute. Prandaj, kthehet në domosdoshmëri së pari njohja e burimeve nga vjen ai dhe më pas, strategjia e luftës ndaj tij. Për këtë, nevojiten më së shumti një fitore së pari e brëndëshme ndaj korrupsionit të qëllimeve dhe mendësive korruptive, pastaj një luftë në shfaqjen e jashtme të tij.