Studentët përfitojnë shërbime falas edhe në banka

Karta e studentit do tu ofrojë të tjera shërbimeve falas apo me tarifa të reduktuara studentëve. Falë një marrëveshje mes kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe drejtorit të përgjithshëm të Raiffeisen Bank Christian Canacaris, tashmë studentët do të marrin falas disa shërbime në këtë bankë.

Shtohet gama e shërbimeve dhe produkteve që studentët e pajisur me kartën studentore do të përfitojnë falas apo me tarifa të reduktuara.

Krahas shërbimeve në institucionet publike dhe private, si kinema, teatro, muze apo kancelari të ndryshme, studentët do të marrin me tarifa zero ose të reduktuara edhe disa shërbime në banka.

Bashkia e Tiranës dhe Raiffeisen Bank nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi nëpërmjet së cilës i jepet mundësia të rinjve që kanë një kartë studenti të marrin shërbime pa komisione ose me tarifa të favorshme në gjithë rrjetin e kësaj banke.

Veliaj: Do të ofrohen shërbime me tarifa zero për hapjen e llogarive rrjedhëse, për të marrë një kartë debiti etj. Unë besoj se për të gjithë studentët që kanë shuma të vogla dhe ku përqindjet e bankave hanë pak nga ajo shumë e vogël që një student menaxhon në tarifat e veta mujore, kjo ulje dhe zerimi i këtyre tarifave nga “Raiffeisen” është jo vetëm një gjest bujar, por një ndihmë e jashtëzakonshme, sidomos për prindërit që dërgojnë të ardhura, por edhe për studentë që nesër me një kartë Raiffeiseni do të udhëtojnë si studentë të Erasmus dhe logon e famshme të zezë me të verdhë të “Raiffeisen” do ta shohin në shumicën e kryeqyteteve të Evropës.

Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri, Christian Canacaris, vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës ndërsa theksoi se marrëveshja i shërben gjeneratës së ardhshme.

Canacaris: Në këtë kartë do kenë ulje në organizata të ndryshme, do kenë një paketë falas në bankën tonë, për të mësuar sesi funksionon një bankë. Unë e di që gjenerata e re nuk është si ne, ata nuk duan të shkojnë nëpër degët e bankave, kështu që do të kenë më pak kontakte me sportelin, pasi do të përdorin byzylykët, telefonat dhe gjithçka që ofrojmë për aplikimet digjitale. Ne jemi shumë krenarë si Raiffeisen për bashkëpunimin me bashkinë, kemi bërë një sërë projektesh dhe do vijojmë të bëjmë edhe shumë projekte të tjera në të ardhmen.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës vijon të përmbushë detyrimet që lindin nga Pakti me Universitetin edhe sa i përket rikonstruksionit të konvikteve. /OraNews