Sugjerimi i ekspertëve të ekonomisë nëse do të ketë rialokim të fondeve

“Buxheti, orientim te shëndetësia”

Pavarësisht se projektbuxheti 2021 është cilësuar si plan anti-krizë për rimëkëmbjen nga dy goditjet; tërmeti dhe pandemia, shumë ministri linje kërkojnë më shumë fonde për vitin e ardhshëm.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se buxheti është specifik në një situatë të jashtëzakonshme dhe nëse ka hapësira për rialokime, pavarësisht rritjes që ka marrë, fondet duhet duhet të orientohen drejt shëndetësisë.

“Është normale që ministri apo dikastere të tjera të kërkojnë rritje fondesh, por unë mendoj se ndryshimet e buxhetit duhet të vijnë në raport me prioritetet dhe emergjencat. Në këtë moment fokusi është pandemia, që është jo vetëm një emergjencë sanitare por edhe ekonomike njëkohësisht.” tha Adrian Civici, ekspert për ekonominë.

“Buxheti është në tërësi pozitiv. Rialokimi në këto kushte është i vështirë, por unë do thoja se në shëndetësi ka nevojë për më shumë fonde, pavarësisht rritjes. Arsimi ka nevojë po ashtu për vëmendje të shtuar.” tha Klodian Mucci, ekspert për ekonominë

Krahas fondit te emergjencës, ekspertët propozojnë edhe një zë të veçantë si mbështetje ndaj biznesit në rast të rikthimit të masave kufizuese, plan i cili sipas tyre do të shmangte rishikimin e buxhetit që në fillim të vitit.

“Pikëpyetjet sa vijnë e shtohen prej pandemisë në 2021. Duhet të kishim në buxhet një fond të tillë. Krahas këtij buxheti duhet të kishte edhe disa variante alternative me skenarë për t’iu përgjigjur situatës .”, tha Civici.

“Një fond shtesë si mbështetje ndaj biznesit është një domosdoshmëri në këtë situatë dhe duhet të jetë I gatshëm në çdo kohë për t’u aktivizuar.”, tha Muci.

Sipas draftbuxhetit 2021, ekzekutivi ka vënë në dispozicion rreth 6 miliardë lekë ose 48.3 milionë euro në total për përballimin e pandemisë COVID-19, ku përfshihet edhe kosto e parashikuar për vaksinë anti-Covid.

Lajme të ngjashme