Tani që Zaev iku çfarë do të ndodhë me ‘Open Balkan’? Rama dhe Vuçiç takohen në Skoci, ende nuk dihet fati i Samitit të Beogradit! Në takim edhe Pendarovski

Në datat 3 dhe 4 ishte parashikuar që në Beograd të zhvillohej takimi i radhës mes tre vendeve që kanë firmosur për iniciativë të ‘Open Balkan’. Por zhvillimet pas zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, me dorëheqjen e Kryeministrit Zaev, e ka vënë në pikëpyetje këtë takim. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministri Rama janë takuar në Skoci ku po marrin pjesë në mbledhjen e OKB për Klimën.

Teksa kanë rikonfirmuar mbështetje të fortë për ‘Open Balkan’, Vuçiç, Rama dhe presidenti i Maqedonisë Pendarovski kanë diskutuar se çdo të bëhet me takimin në Beograd . Ende nuk ka informacione se çfarë vendimi është marrë.

Kujtojmë se pas mbajtjes ditën e djeshme të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev, partia e të cilit pësoi një humbje turpëruese, u dorëhoq. Ai mori përgjegjësinë për këtë humbje, por tha se LSDM do të vazhdojë të qeverisë vendin, duke nënkuptuar se angazhimi e premtimet e bëra edhe në kuadër të “Ballkanit të Hapur” do të mbeten.

Në kuadër të projektit ambicioz për të gjithë rajonin, që Ballkani më në fund të lërë prapa krahëve shekujt ndasi, ‘Open Balkan’, Kryeministri  Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, më 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Memorandumi do të mbetet në fuqi për një kohë të pacaktuar, ndërsa që në paragrafin e parë theksohet se 3 nismëtarët, do të mbajnë të hapur ftesën për homologët e tyre të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës, që të bëhen pjesë të ‘Open Balkan’, për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve të rajonit.

Nisma për bashkëpunim rajonal u përkrahën edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE dhe Gjermania e cila doli në një deklaratë ku kërkoi me urgjencë që të nënshkruhet marrëveshja për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor.

Ndërsa SHBA u bëri thirrje udhëheqësve në rajon të reduktonin pengesave tregtare dhe të ndërtonin ekonomiv të integruara. Edhe zëdhënësja e Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Ana Pisonero në një intervistë ekskluzive për Report Tv, u shpreh se Bashkimi Evropian mbështet nismën “Ballkani i Hapur” dhe shpresojnë arritjen e dakordësisë edhe me tre vendet e tjera, të cilat ende nuk i janë bashkuar nismës, pasi në këtë mënyrë vendet e rajonit do të jenë më afër BE.

Megjithatë kësaj nisme s’po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin.