“Të anulohet urgjentisht koncesioni korruptiv dhe antikushtetues!”/ Partia e Lirisë: Dorëzimi i Butrintit në duart e albanofobit Hodges, tradhti kombëtare e Ramës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se dorëzimi i Butrintit në duart e albanofobit, Richard Hodges është një akt i lartë tradhtie kombëtare i Edi Ramës! Ai tha se ‘urrejtja e madhe ndaj historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, nxjerrja në ankand e kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, shkatërrimi në…

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se dorëzimi i Butrintit në duart e albanofobit, Richard Hodges është një akt i lartë tradhtie kombëtare i Edi Ramës!

Ai tha se ‘urrejtja e madhe ndaj historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, nxjerrja në ankand e kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, shkatërrimi në Tiranë, Durrës dhe në të gjitha qytetet e vendit të simboleve tona kombëtare dhe së fundmi dorëzimi i Butrintit në duart e albanofobit Richard Hordes, provojnë qartë se Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një Esad Pashë i ri’.

“Kërkojmë me forcë nga Qeveria të anulojë menjëherë koncensionin korruptiv dhe antikushtetues të Parkut Kombëtar të Butrintit!”, deklaron Blushi.

DEKLARATA E PLOTË
Partia e Lirisë dënon me forcë aktin e rradhës të tradhëtisë kombëtare të Edi Ramës për dorëzimin e Parkut Kombëtar të Butrintit në duart e një albanofobi, si Richard Hodges.
Caktimi i Hodges, si anëtar i bordit drejtues në koncensionin korruptiv dhe antikushtetues të Butrintit dhe drejtues shkencor i planit të menaxhimit të tij, është një tjetër tregues i qartë i vënies në funksion nga Edi Rama, për llogari të armiqve të Shqipërisë, të axhendës së shkatërrimit, shpopullimit dhe goditjes pa mëshirë të identitetit tonë kombëtar.

Urrejtja e madhe ndaj historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, nxjerrja në ankand e kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, shkatërrimi në Tiranë, Durrës dhe në të gjitha qytetet e vendit të simboleve tona kombëtare dhe së fundmi dorëzimi i Butrintit në duart e albanofobit Richard Hordes, provojnë qartë se Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një Esad Pashë i ri.

I bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë, në veçanti komunitetit të shkencëtarëve, historianëve, arkeologëve, ekspertëve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si dhe të gjithë intelektualëve të reagojnë fuqishëm në mbrojtje të këtij atentati të radhës që Edi Rama po i bën kombit shqiptar.

Kërkojmë me forcë nga Qeveria të anulojë menjëherë koncesionin korruptiv dhe antikushtetues të Parkut Kombëtar të Butrintit!
I kujtojmë Qeverisë se sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit, përgjegjësia e ruajtjes dhe administrimit të pasurive që përbëjnë trashëgimitë kulturore universale nuk mund të kalojë kurrsesi në një organizëm shoqëror siç janë OJF-të, por ajo duhet të ngelet përgjegjësi e shtetit që ka nënshkruar Konventën.

Parku Kombëtar i Butrintit është një pasuri e paluajtshme me vlera të paçmuara kulturore dhe universale, e regjistruar në listën e Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s, që Partia e Lirisë në aleancë me shqiptarët do ta mbrojnë me çdo çmim.