Ka përfunduar punimet në Tiranë samiti i radhës i Procesit Brdo-Brijuni, cili ka mbledhur së bashku liderët e vendeve të rajonit, ndërsa synimi i tij ishte që të përçojë një mesazh politik lidhur me aspiratën e vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
Në samitin që u organizua nën kujdesin e presidentit të Shqipërisë, llir Meta, ishin të pranishëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik dhe Shefik Xhaferoviç.
Pjesë e takimit ishin edhe presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini. Në takim nuk mori pjesë presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, i cili ka dërguar një mesazh të shkruar.
Në konkluzionet e përbashkëta të liderëve pjesëmarrës të samitit, publikuar nga Presidenca e Shqipërisë, theksohet se përparimi i shënuar deri më tani, ka kontribuar në konsolidimin e demokracisë, të paqes, sigurisë, stabilitetit, si dhe në rritjen e bashkëpunimit rajonal.
“Ne e mirëpritëm Marrëveshjen e fundit të Prespës dhe arritëm në përfundimin se një shembull i tillë i hap rrugën forcimit të lidhjeve evropiane dhe euroatlantike me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pranuam se ky moment pozitiv ka ngjallur optimizëm të ri sinergjik në rajon, duke mbajtur parasysh perspektivat e tij evropiane dhe euroatlantike, si objektiva kyçe strategjike”, thuhet në konkluzionet e liderëve pjesëmarrës.
Gjithashtu pjesëmarrësit në samit kanë theksuar rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, sipas tyre, për forcimin e demokracisë, të sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut në rajon si dhe zgjidhjen e çështjeve dypalëshe.
“Ne mbështesim qëndrimin e Bashkimit Evropian se një nga kushtet për anëtarësimin e një vendi aspirues është zgjidhja e çështjeve ende të hapura dypalëshe me fqinjët e vet. Do të përpiqemi në mënyrë aktive që të vazhdojmë dialogun dhe rritjen e besimit brenda rajonit që ne përfaqësojmë. Të gjitha çështjet e hapura do të zgjidhen në mënyrë paqësore, nën frymën e respektit dhe të bashkëpunimit reciprok”, thuhet më tej në përfundimet e samiti.
Liderët pjesëmarrës në këtë samit i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian (BE) të konsiderojë zgjerimin e tij në Ballkanin Perëndimor si një çështje me rëndësi gjeopolitike, duke pasur parasysh sipas tyre se integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në sistemin evropian të vlerave është një faktor i rëndësishëm edhe për vetë stabilitetin e përgjithshëm evropian.
Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë rajonale themeluar në vitin 2010, ndërsa në takimin e mbajtur në Tiranë është rënë dakord që në Slloveni të organizohet në fund të këtij viti takimi i ardhshëm i liderëve të Procesit Brdo-Brijuni.


