Theu orën policore, gjobë 1 milionë lekë, procedohen penalisht pronari dhe menaxheri i lokalit

Pronari dhe menaxheri i një lokali në Velipojë janë proceduar penalisht, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet me muzikë në biznesin e tyre, pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente.

Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe proceduar penalisht për veprën penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, shtetasit: V. M., 34 vjeç, banues në Gomsiqe e Re, Velipojë, pronari i subjektit në Velipojë dhe E. J., 25 vjeç, banues në Shkodër, menaxher i subjektit, pasi janë konstatuar duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë pas orarit të lejuar.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë për pronarin e këtij subjekti.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 8 pajisje muzikore që u gjetën në ambientet e këtij subjekti.