“Trajtimi me plazmën e gjakut imun tregon sukses”

Eksperti turk Ahmet Kizilay thotë se një pacient 56-vjeçar që ndodhet në repartin e kujdesit intensiv nuk shfaqi reagime negative kur përpos me medikamentet tjera, u trajtua edhe me plazmë

Eksperti turk, Ahmet Kizilay nga Universiteti Inönü thotë se pacientët që u trajtuan me plazmën e gjakut nga donatorët që u shëruan nga koronavìrusi i ri, pjesërisht kanë filluar të shërohen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pacientët që u shëruan nga COVID-19 mund t’u ndihmojnë të tjerëve që të shërohen sapo të rezultojnë negativ në koronavìrusin e ri, duke dhuruar plazmën e tyre dhe antitrupat për pacientët në gjendje kritike.

Mjeku Ahmet Kizilay nga Universiteti Inönü që ndodhet në provincën lindore Malatya, tha se një pacient 56-vjeçar që ndodhet në repartin e kujdesit intensiv nuk shfaqi reagime negative kur përpos me medikamentet tjera, u trajtua edhe me plazmë.

Duke theksuar se pacienti shfaqi shenja të përmirësimit të pjesshëm si në parametrat e gjakut ashtu edhe në kapacitetin e mushkërive, Kizilay tha që trajtimi do të përdoret për pacientët e tjerë për rezultate më të qarta.

“Terapia me plazmën imunare është përdorur me sukses në infeksione virale si Ethet Hemorragjike të Krimesë-Kongos (CCHF), virusin e ebolës, SARS dhe MERS”, tha ai.

Kizilay u bëri thirrje pacientëve me koronavìrus të dhurojnë plazmën e tyre të gjakut pasi të shërohen plotësisht dhe të testojnë negativisht për virusin.

Dje, Turqia konfirmoi 96 vdekje të reja që ndërlidhen me koronavìrusin, duke e çuar numrin e vdekjeve në 908, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve u rrit në 42.228. Gjithsej 2.142 persona janë shëruar deri më tani dhe janë liruar nga spitalet.

Në botë, më shumë se 96.700 njerëz kanë vdekur nga COVID-19 në të gjithë botën dhe mbi 1.6 milionë raste të infeksionit të koronavìrusit janë konfirmuar në mbarë botën, tregojnë të dhënat nga Universiteti amerikan “Johns Hopkins”. Më shumë se 360 mijë persona janë shëruar deri më tani.