Turqi, operacion për arrestimin e 60 terroristëve të dyshuar të FETO-s

Operacioni kundër infiltrimit të grupit terrorist në ushtrinë turke filloi në 19 provinca

Një operacion kundër infiltrimit të organizatës terroriste FETO në Forcat e Armatosura Turke ka nisur për të arrestuar 60 të dyshuar në gjithë Turqinë, njoftoi një burim sigurie, raporton Anadolu Agency (AA).

Prokurorët në metropolin turk Stamboll kanë kërkuar arrestimin e të dyshuarve, duke përfshirë 38 ish-kadetë ushtarakë dhe 12 imamë të fshehtë, anëtarë të lartë të FETO-s, vuri në dukje burimi.

Operacioni filloi pas zbulimit të komunikimit brenda organizatës përmes telefonave me pagesë ose linjave fikse, si dhe zbulimit të lidhjeve organizative përmes rrëfimeve, tha burimi i sigurisë i cili kërkoi të mbetet anonim.

Operacioni me bazë në Stamboll u nis në 19 provinca, shtoi burimi.

FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA Fetullah Gulen orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur të 15 korrikut 2016, në të cilin ranë 251 dëshmorë dhe 2.734 të tjerë u plagosën.

Turqia akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.