“Turqia është kundërpeshë ndaj Rusisë dhe Kinës në Azinë Qendrore”

Akademikja e Kazakistanit tha se Turqia duhet të zgjerojë marrëdhëniet ushtarake, shkencore dhe kulturore me Azinë Qendrore...

Turqia është një kundërpeshë ndaj pranisë në rritje të Rusisë dhe Kinës në Azinë Qendrore, deklaroi akademikja e Kazakistanit.

Duke folur për Anadolu Agency (AA) në margjinat e konferencës dyditore në Stamboll, Meruert Makhmutova, drejtuese e Qendrës së Kërkimit të Politikave Publike me bazë në Almaty, tha se Rusia ka “ambicie perandorake” në Azinë Qendrore “por bota po ndryshon dhe ish-Republikat Sovjetike duan të kenë mundësi të tjera përveç Pekinit dhe Moskës gjithashtu”.

Ekonomistja po merrte pjesë në ngjarjen, “Turqia, Pakistani dhe Azia Qendrore: Partneriteti për Paqen”, i bashkë-organizuar nga Qendra Turke e Çështjeve Diplomatike dhe Studimeve Politike në partneritet me Qendrën Pakistaneze për Kërkime të Paqes-Lahore.

“Këto vende vëllazërore janë më të interesuara për zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit me Turqinë bazuar në gjuhë, kulturë dhe trashëgimi të përbashkët. Turqia është një kundërpeshë ndaj Kinës dhe Rusisë dhe ka një mundësi të mirë për të qenë udhëheqësi i kombeve turke”, tha ajo.

Makhmutova theksoi se mbështetja e Turqisë në çlirimin e Malësisë së Karabakut ishte “shumë e rëndësishme”, duke iu referuar luftës së fundit të Azerbajxhanit me Armeninë, e cila kishte okupuar rajonin pa dalje në det në Kaukazin e Jugut për gati tre dekada.

Ankaraja e mbështeti Azerbajxhanin gjatë përplasjeve 44 ditore, të cilat përfunduan pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga Moska më 10 nëntor 2020.

Që nga ajo kohë, hapja e një korridori tranziti që lidh Azerbajxhanin me enklavën e saj Nakhchivan ofron mundësi të reja për rajonin dhe i hap Turqisë hyrje të drejtpërdrejtë në Detin Kaspik.

Ajo tha se ndërsa Kina dhe Rusia po përpiqen të “zhvillojnë vetëm marrëdhënie dypalëshe, në mënyrë të pavarur me secilin vend të Azisë Qendrore”, Turqia duhet të hartojë një politikë kolektive ndaj shteteve turke.

Tre fushat prioritare të bashkëpunimit të Turqisë me Azinë Qendrore duhet të jenë ushtria, shkenca, teknologjia dhe kultura, shtoi ajo.

Lidhur me bashkëpunimin shumëpalësh në rajon që mund të përfshijë edhe Pakistanin, ajo tha: “Çdo vend duhet të përqendrohet në forcimin e ekonomive të tyre për të zhvilluar bashkëpunim shumëpalësh”.