Turqia fillon imunizimin kundër COVID-19

Agjencia turke e Barnave dhe Produkteve Mjekësore (TITCK) miratoi dje për përdorim urgjent vaksinën CoronaVac, të zhvilluar nga kompania SinoVac me bazë në Pekin

Në Turqi sot ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit të ri (COVID-19), fillimisht nga punonjësit shëndetësorë, raporton Anadolu Agency (AA).

Dje, ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, mori vaksinën kineze kundër koronavirusit, CoronaVac dhe u bë personi i parë që mori vaksinën e zhvilluar së fundmi.

Agjencia turke e Barnave dhe Produkteve Mjekësore (TITCK) miratoi dje për përdorim urgjent vaksinën CoronaVac, të zhvilluar nga kompania SinoVac me bazë në Pekin.

Tre milionë doza të vaksinës që i prodhoi SinoVac mbërritën në Turqi më 30 dhjetor. Vaksinat janë transferuar në magazinën mjekësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe mostrat e vaksinës u dërguan në laboratorin TITCK për ekzaminim për 14 ditë. Ndryshe, vaksinimi do të bëhet në katër hapa.

Në hapin e parë do të vaksinohen punonjësit shëndetësorë, njerëzit mbi moshën 65-vjeçare dhe të rriturit që jetojnë në vende të mbushura me njerëz siç janë strehimoret. Më pas vijojnë punonjësit në shërbimet e rëndësishme, personat më të vjetër se 50-vjeç dhe personat me së paku një sëmundje kronike.

Në fazën e tretë, vaksinën do ta marrin personat më të ri se 50-vjeç me së paku një sëmundje kronike, të rinjtë dhe ata që punojnë.

Në fazën përfundimtare do të vaksinohen të gjithë personat e mbetur. Qytetarët do të duhet përmes internetit të caktojnë datën për marrjen e vaksinës. Do të merren dy doza me kohëzgjatje prej 28 ditëve.