Turqia inauguron Ishullin e Demokracisë dhe Lirive

Në ceremoninë e hapjes së ishullit për publikun e gjerë me rastin e 60-vjetorit të puçit ushtarak të 27 majit 1960, presidenti Erdoğan tha se me këtë puç Turqia përjetoi një nga ditët më të errëta të historisë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan sot shënoi 60-vjetorin e grushtit të parë ushtarak të vendit të vitit 1960 me përurimin e “Ishullit të Demokracisë dhe Lirive”, të njohur më parë si Yassıada, ku junta që organizoi puçin ekzekutoi kryeministrin e parë të zgjedhur me votë, Adnan Menderes, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan në fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit, me ç’rast ishulli u hap për publikun e gjerë, tha se 60 vjet më parë, Turqia përjetoi një nga ditët më të errëta të historisë së saj me grushtin e shtetit të 27 majit.

Erdoğan theksoi se krahas kryeministrit Menderes dhe ndihmësve të tij, para gjyqit u nxorën edhe historia turke, kultura, vlerat dhe besimet.

“Ajo që ndodhi nuk ishte gjyq, por vrasje e drejtësisë”, deklaroi presidenti turk.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe kryetari i Parlamentit Mustafa Şentop, lideri i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, nëpresidenti Fuat Oktay, presidenti i Gjykatës Kushtetuese, Zühtü Arslan, zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, burokratë, politikanë, komandantë të forcave të armatosura, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe shoqatave të avokatëve.

Yassıada, një nga ishujt që ndodhen në Detin e Marmara në juglindje të Stambollit, njihej për burgimet dhe gjyqet nga puçi ushtarak i vitit 1960. Ai u riemërua si “Ishulli i Demokracisë dhe Lirive” në vitin 2013.

Ishulli është vendi ku kryeministri i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Turqi, Menderes, së bashku me anëtarët kryesorë të Partisë Demokratike (PD), u gjykuan dhe burgosën pas puçit të 27 majit.

Pas një gjyqi të njëanshëm dhe të paligjshëm në ishull, presidenti Celal Bayar, kryeministri Menderes, ministri i Jashtëm Fatin Rüştü Zorlu dhe ministri i Financave Hasan Polatkan u dënuan me vdekje. Bayar më vonë pranoi falje nga dënimi.