Zëdhënësi i MPJ-së turke: Greqia fillimisht duhet të shpëtojë nga “barbarizmi i saj”

"Greqia me deklaratën e ministrit Dendias, ka preferuar politikën e tensionit në vend të dialogut me Turqinë", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, lidhur me deklaratën ku ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, ka përdorur shprehjen “barbarë” ndaj Turqisë, ka theksuar se “Greqia fillimisht duhet të shpëtojë nga barbarizmi i saj”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi Aksoy, ka dhënë një përgjigje me shkrim ndaj një pyetjeje lidhur me deklaratat e ministrit të jashtëm grek kundrejt Turqisë.

Aksoy tërhoqi vëmendjen se Greqia me deklaratën në fjalë të ministrit grek, ka preferuar politikën e tensionit në vend të dialogut me Turqinë dhe ka shtrembëruar opinionin publik duke manipuluar të vërtetat me motivet e politikës së brendshme të saj. “Ne e ftojmë për arsyetim dhe perceptim udhëheqjen e Greqisë e cila vepron me mentalitetin ‘armiku i armikut tim është miku im’”, ka vlerësuar Aksoy.

Pasi theksoi se në raportet e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut thuhet se Greqia ka shkelur hapur të drejtat dhe liritë themelore dhe veçanërisht të drejtat e jetës për refugjatët, Aksoy vuri në dukje se:

“Është turpëruese që t‘i thonë Turqisë ‘barbarë’ ata të cilët para syve të të gjithë botës bëjnë çdo lloj veprimi të pandërgjegjshëm kundër njerëzve të pafajshëm. Shteti i Greqisë fillimisht duhet të shpëtojë nga barbarizmi i saj. Dhe për këtë duhet të respektojnë të drejtat e refugjatëve, nuk duhet të kryejnë tortura, keqtrajtime dhe t’i kthejnë mbrapsht ata. Gjithashtu ata të cilët pretendojnë se janë të ashtuquajturit djepi i civilizimit, duhet të respektojnë edhe ata që nuk janë në të njëjtën gjuhë dhe fe me ata”.