Turqia ka vënë në prioritet marrëdhëniet me Azinë Qendrore

"Me politikën tonë 'Azia Rishtas' ne kemi vënë në prioritet marrëdhëniet tona si me Azinë Qendrore vëllazërore ashtu edhe me rajonet tjera të Azisë në rritje", tha Çavuşoğlu

Turqia ka vënë në prioritet marrëdhëniet me Azinë Qendrore dhe vendet e tjera të Azisë me iniciativën e saj “Azia Rishtas”, bëri të ditur sot ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

“Me politikën tonë ‘Azia Rishtas’ të cilën e njoftuam vitin e kaluar, ne kemi vënë në prioritet marrëdhëniet tona si me Azinë Qendrore vëllazërore ashtu edhe me rajonet tjera të Azisë në rritje”, tha Çavuşoğlu përmes video-lidhjes gjatë ceremonisë së hapjes së vitit akademik të Universitetit ndërkombëtar Turk-Kazak Hoca Ahmet Yesevi.

Çavuşoğlu nënvizoi se përmirësimi i marrëdhënieve me vendet e Azisë Qendrore është një “politikë kombëtare”.

Duke theksuar se vëllimi tregtar i Turqisë me rajonin ka arritur afërsisht 8.5 miliardë dollarë në vitin 2019, ai tha se kompanitë dhe kontraktorët turq vazhdojnë aktivitetet e tyre në rajon.

Ai shtoi se prania e Universitetit “Ahmet Yesevi” në kryeqytetin turk Ankara pasqyron miqësinë midis Turqisë dhe Kazakistanit.

Bashkëpunimi Turqi-Kazakistan u ndërtua në baza të forta falë marrëdhënieve të sinqerta midis presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit themelues të Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, shtoi ai.

Konflikti Armeni-Azerbajxhan

Në adresimin e tij, Çavuşoğlu përsëriti mbështetjen e Turqisë për Azerbajxhanin në konfliktin e saj me Armeninë rreth rajonit të okupuar të Malësisë së Karabakut.

“Si Turqi, ne gjithmonë kemi qëndruar pranë Azerbajxhanit në luftën e tij për kauzën e tyre të drejtë dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë tyre”, tha ai.

“Për fat të keq, disa faktorë heshtin ndaj trajtimit të padrejtë të Azerbajxhanit dhe i vendosin mizorët dhe të dëmtuarit në të njëjtin ekuacion”, tha Çavuşoğlu duke shtuar se këta faktorë po injorojnë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendimet e OSBE-së.

Duke nënvizuar se Armenia po sulmon edhe territoret azerbajxhanase që nuk i ka okupuar tashmë, ai tha se këto veprime përbëjnë “krime lufte”.

Përleshjet filluan më 27 shtator kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile të Azerbajxhanit dhe pozicionet ushtarake në rajon, duke shkaktuar viktima.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut.

Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkëkryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA, u formua në vitin 1992 për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por pa rezultat. Një armëpushim u dakordua në vitin 1994.

Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka mbetur nën okupimin ilegal të Armenisë për rreth tre dekada.

Të dy shtetet ranë dakord për një armëpushim humanitar që hyi në fuqi të shtunën për shkëmbimin e të burgosurve dhe marrjen e trupave në Malësinë e Karabakut.

Armëpushimi ndodhi pas një takimi trepalësh në Moskë të premten midis ministrave të Jashtëm të Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Por, forcat armene të dielën filluan një sulm me raketa në qytetin e dytë më të madh të Azerbajxhanit, Ganja, pavarësisht se ishte jashtë zonës së vijës së frontit, duke vrarë 10 civilë dhe plagosur 35 të tjerë.

Shumë fuqi botërore, përfshirë Rusinë, Francën dhe SHBA-në, kanë kërkuar një armëpushim të ri. Ndërkohë, Turqia ka mbështetur të drejtën e Bakut për vetëmbrojtje dhe kërkoi tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë.