“Turqia nuk mund të përjashtohet nga Mesdheu Lindor”

Turqia dhe Greqia nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të kenë marrëdhënie miqësore, thotë ish-diplomati grek

Përpjekjet e Greqisë për të përjashtuar Turqinë nga Mesdheu Lindor kërcënojnë paqen dhe sigurinë rajonale, tha një ish-diplomat i lartë grek, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për gazetën “Gnomi”, e publikuar në qytetin port verilindor të Greqisë, Alexandroupolis, Panagiotis Ioakimidis, ish-këshilltar në Ministrinë e Jashtme greke, diskutoi marrëdhëniet Turqi-Greqi dhe çështjet rajonale.

Ioakimidis tha se përpjekjet e Greqisë për të bërë aleanca me disa vende në Mesdheun Lindor nuk ofron zgjidhje për çështjet në rajon.

“Duhet pranuar që Turqia është një vend i Mesdheut, i cili duhet të merret në konsideratë brenda kornizës së zhvillimeve rajonale”, tha ai.

Duke iu referuar rifillimit të bisedimeve kohët e fundit midis Turqisë dhe Greqisë, Ioakimidis vuri në dukje se bisedimet nuk duhet të kufizohen në çështjen e Zonës Ekskluzive Ekonomike (EEZ) dhe se mund të përfshihen shumë çështje të tjera.

“Megjithatë, për shënjimin e EEZ-së dhe shelfeve kontinentale, vendet duhet së pari të arrijnë një marrëveshje mbi gjerësinë e ujërave territoriale,” vuri në dukje ai.

Duke argumentuar se Turqia dhe Greqia, si vende fqinje, nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të kenë marrëdhënie miqësore, Ioakimidis theksoi se përmirësimi në marrëdhëniet dypalëshe do të kontribuonte në mënyrë të konsiderueshme në prosperitetin e të dy vendeve.

“Posaçërisht rajonet kufitare si Trakia dhe Ishujt Lindorë të Egjeut do të përfitojnë nga një gjë e tillë. Mund të ketë bashkëpunim dhe projekte të përbashkëta në fushat e turizmit, transportit dhe arsimit”, tha ai.

Në lidhje me çështjen e Qipros, Ioakimidis tha se administrata greke qipriote duhet të përqafojë “Kornizën Guterres” dhe veçanërisht parimin e saj të barazisë politike.

Turqia, e cila ka vijën më të gjatë bregdetare kontinentale në Mesdheun Lindor, ka hedhur poshtë pretendimet e demarkacionit detar nga Greqia dhe administrata Greke Qipriote, duke theksuar se këto pretendime të tepërta shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe Turqve Qipriotë.

Ankaraja dërgoi disa anije eksploruese vitin e kaluar për të kërkuar energji në Mesdheun Lindor, duke mbrojtur të drejtat e saj në rajon, si dhe ato të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC).

Udhëheqësit turq kanë theksuar vazhdimisht se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.

Në vitin 1974, pas një grushti shteti që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankaraja ndërhyri si një fuqi garantuese, kurse në vitin 1983, u themelua TRNC.

Çështja e Qipros mbetet e pazgjidhur pavarësisht nga një sërë përpjekjesh në vitet e fundit, duke përfshirë dhe iniciativën e dështuar të OKB-së në vitin 2017 me pjesëmarrjen e vendeve garantuese.