Turqia shpreson që Qiproja Turke të jetë në mesin e anëtarëve të këshillit të vendeve turqisht-folëse

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Turqia shpreson të shohë Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC) në mesin e anëtarëve të Këshillit Turk, raporton Anadolu Agency (AA).

“Unë besoj në mbështetjen tuaj të vlefshme në lehtësimin e izolimit dhe embargos ndaj turqve qipriotë, të cilët janë pjesë e pandashme e botës turke”, u tha Erdoğan krerëve të vendeve turqisht-folëse gjatë samitit të tetë të këshillit në Stamboll.

Duke theksuar vendosmërinë e Turqisë për të luftuar kundër “të gjitha formave të terrorizmit”, siç janë organizatat terroriste FETO, PKK/YPG dhe DEASH, Erdoğan u bëri thirrje liderëve që të rrisin bashkëpunimin në këtë drejtim.

“Ne duhet të veprojmë së bashku në luftën kundër islamofobisë dhe ksenofobisë që janë murtaja e kohës sonë”, shtoi më tej ai.

Udhëheqësi turk i dha homologut të tij azerbajxhanas medaljen e nderit të botës turke për përpjekjet e vendit për të çliruar tokat e pushtuara të Azerbajxhanit nga Armenia në konfliktin 44-ditor vitin e kaluar.

Duke theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në lidhje me ndryshimet klimatike dhe digjitalizimin, presidenti Erdoğan tha se festivali Teknofest, mbledhja më e madhe në fushën e hapësirës ajrore dhe teknologjisë së Turqisë, do të mbahet në Azerbajxhan vitin e ardhshëm.