Unioni Parlamentar i vendeve anëtare të OBI-së mblidhet në Stamboll

Muslimanët që jetojnë në vendet që nuk janë anëtarë të Unionit Parlamentar të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) janë të ekspozuar ndaj dhunës, persekutimit dhe shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, tha sot kryetari i parlamentit turk, Mustafa Şentop, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në mbledhjen e 46-të të komitetit ekzekutiv të Unionit Parlamentar të vendeve anëtare të OBI-së në Stamboll, Şentop tha se bota po shkon drejt një sistemi të ri global dhe pandemia COVID-19 e ka përshpejtuar procesin dhe aktorët ekzistues kanë vështirësi në përshtatjen me epokën e re.

Şentop tha se Ankaraja është e lumtur që merr presidencën e re të Unionit Parlamentar dhe se vendi i tij kërkon të ringjallë këtë organizatë në një mënyrë që do të ishte në gjendje t’i përgjigjej sfidave të reja duke rritur kapacitetin e tij.

Ai tha se është përgjegjësi e Unionit Parlamentar të OBI-së për të rritur ndërgjegjësimin për çështje të tilla si rritja e islamofobisë, ksenofobisë, intolerancës dhe racizmit.

Ai propozoi krijimin e një komiteti të posaçëm nën këtë institucion për të tërhequr vëmendjen ndaj vuajtjeve të pakicave muslimane në mbarë botën.

Sekretari i Përgjithshëm i Unionit, Mouhamed Khouraichi Niass, nga ana e tij, tha se aktivitetet e organizatës nuk janë në nivelin e dëshiruar për shkak të pandemisë dhe se komiteti ekzekutiv praktikisht u mblodh dy herë që nga fillimi i shpërthimit të koronavirusit.

Duke theksuar se bota muslimane ka dëshmuar një sërë problemesh kohët e fundit, ai tha se çështja e Palestinës është në ballë, pasi palestinezët u janë nënshtruar sulmeve izraelite dhe Kudsi dhe Mesxhid al-Aksa janë të ekspozuar ndaj “judaizimit në rritje”.

Ai tha se ka pasur zhvillime, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, që kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë në botën muslimane, duke theksuar: “Në këtë kontekst, të gjitha këtyre çështjeve duhet t’u qasemi me një këndvështrim dhe frymë të re”.