Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e tretë lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç tregoi kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, deri në orën 15:00, votuan 18.729 votues, apo 32.30 për qind. Ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2017 deri në të njëjtën kohë kishin votuar 17.544 votues apo 30.79 për qind.
“Ju njoftojmë se procesi i votimit në 44 qendrat e votimit në katër komunat ku po mbahen zgjedhjet për kryetar, është duke vijuar pa ndonjë problem”, tha Daka.
Në bazë të komunave, në Leposaviq deri në orën 15:00 kanë votuar 6.003 votues apo 33.05 për qind. Në Zubin Potok 2.940 votues apo 34.05 për qind. Në Zveçan 3.169 votues apo 34.34 për qind dhe në Mitrovicë të Veriut 6.617 votues apo 30 për qind.
Daka tha se ka pasur edhe paqartësi nga disa komisionerë që nuk e kanë ditur se me cilat dokumente lejohet të votohet (kosovare apo serbe), por që “janë njoftuar nga KQZ dhe kanë marrë instruksionet (edhe pse i kanë pasur edhe më herët) se dokumentet valide në Kosovë janë dokumentet e Kosovës”.
Konferenca e fundit rreth procesit zgjedhor nga KQZ do të mbahet në orën 20:00, ndërsa në konferencën pas saj do të dilet me rezultatet preliminare të këtyre zgjedhjeve.



