Veliaj çon në gjykatë Grida Dumën për shpifje: Dëshirat e mafiozëve italianë e të PD janë bashkuar në gojën e një trafikanteje apartamentesh

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të padisë në gjykatë Grida Dumën për shpifje.

Përmes një reagimi zyrtar, Veliaj thekson se dëshirat e disa mafiozëve italianë për të bërë plane biznesi për Shqipërinë dhe dëshirat e PD-së që këto plane të jenë të vërteta, janë bashkuar në gojën e një trafikanteje të njohur apartamentesh.

“Po ndjek përmes shtypit, se si dëshirat e disa mafiozëve italianë për të bërë plane biznesi për Shqipërinë dhe dëshirat e PD-së që këto plane të jenë të vërteta, na janë bashkuar në gojën e një trafikanteje të njohur apartamentesh. Kushdo që ndërton në Bashkinë e Tiranës ka një emër dhe mbiemër, kurse lejet e ndërtimit kanë dosje transparente për mënyrën e financimit. Dëshirat e mafias italiane për t’u futur në industrinë e ndërtimit janë dëshira të tyre dhe të PD-së. Ne nuk ndalojmë dëshira, por veprime konkrete”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizon se e vërteta është se asnjë leje e Bashkisë së Tiranës nuk është e ndikuar nga grupe interesash, të lidhura me biznese të paverifikueshme.

“E vetmja gjë e paverifikuar për ne, mbetet se si Grida Duma u bë investitore pallatesh vite më parë, duke përfunduar në gjyqe për mashtrime dhe duke lënë burgjeve partnerët e saj në biznes. I bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë cilindo që tenton të flasë në emër të Bashkisë së Tiranës apo të çdo institucioni tjetër lidhur me histori të tilla. Ndërkohë, Grida Duma do të duhet ta provojë në gjykatë shpifjen e saj të radhës, njësoj si 7 herët e tjera kur zyrtarët e PD-së janë gjykuar e shpallur si shpifës nga drejtësia”, thuhet në reagimin e Kryebashkiakut Veliaj.