Ventilatorët e prodhuar në Turqi konkurrojnë modelet e huaja

"Ne kemi parë që ventilatori ynë mjekësor i prodhuar në vend mund të konkurrojë ato të importuar dhe madje mund të jetë edhe më i mirë", theksoi Turan

Ventilatorët mjekësorë të prodhimit vendor të bëra nga katër kompanitë turke po fitojnë përshtypje mbresëlënëse nga mjekët dhe janë me çmim më të volitshëm për t’i blerë se modelet e importuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Këshilltarja e lartë për pandeminë e koronavirusit (COVID-19), dr. Sema Kultufan Turan, anëtare e Bordit në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë mbrojti cilësinë e modelit historik.

Ajo tha se ventilatorët janë shumë të rëndësishëm për të ndihmuar pacientët me koronavirus me probleme serioze të frymëmarrjes.

“Ne kemi ventilatorë të mjaftueshëm mjekësorë në spitale që ofrojnë shërbim me cilësi të lartë. Për këtë, ne dallojmë nga vendet e tjera”, tha Turan.

“Ne kemi parë që ventilatori ynë mjekësor i prodhuar në vend mund të konkurrojë ato të importuar dhe madje mund të jetë edhe më i mirë”, theksoi ajo.

Turan shtoi se pajisja e zhvilluar nga kompanitë turke Arcelik, Aselsan, Baykar dhe Biosys është ofruar me një çmim shumë më të mirë se modelet e importuara.

“Unë besoj se është mjaft e rëndësishme të prodhosh një produkt të tillë”, tha ajo duke shtuar se “ventilatori ynë mund të bëhet shumë më i mirë se të tjerët me ndonjë softuer shtesë”.

“Përputhshmëria pacient-ventilator është me të vërtetë e përsosur. Ky është një ventilator që mund të ofrojë shumë trajtime të ndryshme dhe opsione të trajtimit të oksigjenit. Ishte një moment historik për ne kur fillimisht përdorëm ventilatorin tek një pacient. Ne gjithashtu pamë se sa i suksesshëm ishte ventilatori”, theksoi Turan.

Kompania turke e teknologjisë Biosys zhvilloi pajisjen dhe pas goditjes së pandemisë, kompanitë turke filluan një mobilizim për të filluar prodhimin masiv në koordinim me Ministrinë e Teknologjisë dhe Industrisë.

Me një përkushtim të madh, inxhinierët turq arritën të vendosnin prodhimin masiv të ventilatorit të parë indigjen të kujdesit intensiv për vetëm 14 ditë.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Turqi ka arritur në 2.491 që nga e enjtja, me 101.790 raste deri më tani.

Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, është përhapur në të gjithë botën.

Pandemia ka marrë rreth 191.200 jetë njerëzish me infeksione totale që tejkalojnë shifrën prej 2.72 milionë, tregojnë të dhënat e përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins” në SHBA.