Verifikimi i BIRN/ Qiraja e avionit që përdor Rama arrin deri 15 mijë euro në orë, shpenzimet për udhëtimet jashtë Shqipërisë disa milionë lekë më shumë

Edi Rama dhe deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri janë përfshirë në një seri akuzazh dhe kundërakuzash gjatë ditëve të fundit, në lidhje me shpenzimet për udhëtimet e kryeministrit jashtë vendit. Të premten në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, Pampuri e akuzoi Ramën se kishte udhëtuar me një aeroplan ‘charter’ drejt Bavarisë…

Edi Rama dhe deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri janë përfshirë në një seri akuzazh dhe kundërakuzash gjatë ditëve të fundit, në lidhje me shpenzimet për udhëtimet e kryeministrit jashtë vendit.

Të premten në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, Pampuri e akuzoi Ramën se kishte udhëtuar me një aeroplan ‘charter’ drejt Bavarisë dhe ishte akomoduar në një resort luksoz, për të dhënë një intervistë në revistën ‘Manager’.

“Edi Rama sillet si sheik me paratë e shqiptarëve,” theksoi Pampuri, ndërsa e akuzoi kryeministrin si të korruptuar.

Kryeministri i kundërshtoi akuzat e Pampurit me një video në Facebook, duke deklaruar se kishte udhëtuar drejt Gjermanisë me linjën ajërore ‘Lufthansa’, së bashku me gruan dhe djalin tij të vogël Zaho dhe bileta e klasit ekonomik kishte kushtuar 345 euro.

Rama gjithashtu adresoi në mesazhin video akuzat e PD-së për udhëtimet e tij jashtë vendit, duke deklaruar se ‘mesatarja vjetore për udhëtimet e mija zytare, të cilat paguhen nga fondi i kryeministrisë është më e ulët se sa mesatarja vjetore e paraardhësve të mijë.”

Sipas Ramës, kjo kosto e ulët vjen si pasjojë e faktit se ndryshe nga paraardhësit ai nuk ka udhëtuar në klas biznesi, përveç rasteve shumë të veçanta.

“Ndërkohë qysh prej vitit 2020, kur morëm presidencën e OSBE-së u bë një marrëveshje me kompaninë ‘Air Albania’. Shpenzimi për vitin 2020 dhe 2021, ka qenë nën mesataren e viteve të mëparshme,” deklaroi Rama.

Kryeministri gjithashtu kundërshtoi akuzën e PD-së se vetëm me karburantin e një udhëtimi ai kishte shpenzuar 120 mijë euro, duke theksuar se sasia më e madhe e shpenzimeve që kishte bërë për udhëtime zyrtare ishte 4,6 milionë lekë dhe i përkiste vitit 2014.

Të martën deputetja Pampuri i ka përsëritur akuzat ndaj Ramës për shpenzimet e udhëtimit dhe kryeministri i është kundërpërgjigjur duke cituar një shprehje të filozofit, Soren Kierkegaard.

Sipas Ramës çdo qytetar ‘demokrat’ gjendet mes ‘dy rrugëve, ku njëra palë i thotë beso atë që s’është e vërtetë, ndërsa pala tjetër i thotë refuzo ta besosh atë që është e vërtetë.’ Po çfarë tregojnë faktet për deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe për pretendimin e tij se ai shpenzon më pak se paraadhësit për udhëtim ajërore. Le t’i marrim ato me rrallë.

Rama deklaron se ai harxhon mesatarisht më pak për shpenzime udhëtimi nga ‘fondet e kryeministrisë’ së parardhësit e tij.

Të paktën që prej vitit 2020, shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit të kryeministrit mbulohen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila ka lidhur një marrëveshje me kompaninë ‘Air Albania’ për të marrë me qira një aeroplan ‘Airbus A319-100’. Aeroplani i konfigurimit ‘Vip’ mund të akomodojë deri në 32 pasagjerë.

Edhe në qoftëse shpenzimet nga ‘fondi i kryeministrisë’ janë mesatarisht më të vogla se ato të paraardhësve, kjo nuk do të thotë se shpenzimet e kryeminsitrit për udhëtimet jashtë vendit në tërësinë e tyre janë të vogla.

Përkundrazi, përdorimi i aeroplanit ‘charter’ të kontraktuar nga ‘Air Albania’, sugjeron se ato janë më të mëdha se çfarë i kanë lejuar vetes paraardhësit e tij. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të bëjë transparencë mbi shumën e shpenzuar për të organizuar udhëtimet e kryeministrit dhe pagesat ndaj ‘Air Albania’, duke pretenduar se këto janë të dhëna ‘konfidenciale.’ Megjithatë, kostot e marrjes me qira të një aeroplani Airbus 319, listohen në 15 mijë euro në orë. Është e paqartë sa orë fluturime ka akumuluar Edi Rama gjatë dy viteve të fundit.

Kryeministri pretedon se shpenzimet e udhëtimit gjatë viteve 2020-2021, kohë kur udhëtimet jashtë vendit janë realizuar me aeroplanin ‘charter’ të Air Albania – të cilit i është vënë emri ‘Ismaili’, kanë qenë më të ulëta se mesatarja e viteve të mëparshme. Ky pohim na jep një ide krahasuese mbi shpenzimet me aeroplanin ‘charter’. Qëndron fakti se vitet 2020 dhe 2021, kanë qenë vite pandemie dhe është e paqartë nëse numri i udhëtimeve jashtë vendit ka qenë më i ulët ose i ngjashëm me vitet e mëparshme.

Kryeministri ka deklaruar gjithashtu se shpenzimet e tij më të larta për udhëtime jashtë vendit janë realizuar në vitin 2014 dhe kapin vlerën 4.6 milionë lekë. Ky pohim bie ndesh me të dhënat e databazës së pagesave të Thesarit, sipas të cilave në vitin 2014, Këshilli i Ministrave ka shpenzuar 21.8 milionë lekë për kategorinë e shpenzimeve ‘udhëtime jashtë vendit’.

Në vitin 2015, Këshilli i Ministrave ka shpenzuar 4 milionë lekë, në vitin 2016 ka shpenzuar 27.3 milionë lekë, në vitin 2017 janë shpenzuar 22.7 milionë lekë, në vitin 2018 janë shpenzuar 27.8 milionë lekë dhe në vitin 2019 janë shpenzuar 32.5 milionë lekë.

Megjithë marrëveshjen me Air Albania, kostot e sëcilës i mbulon Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, gjatë vitit 2020, Këshilli i Ministrave ka shpenzuar 13.4 milionë lekë për udhëtime jashtë vendit dhe 14.6 milionë lekë në vitin 2021.

Edhe pse mesatarja e shpenzimeve të Aparatit të Këshillit të Ministrave për dy vitet e fundit është më e ulët se në vitet paraardhesë, ajo nuk përfshin shpenzimet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për udhëtimet ‘charter’ me Ismailin./BIRN