Veshur me xhup të kuq dhe hipur në biçikletë po shkonte në dyqan të blinte bukë për vrasësin, pamjet e fundit të 8-vjeçarit ende gjallë. Çfarë filmuan kamerat e sigurisë

Këto janë pamjet e fundit kur Mateo Vasia, 8-vjeçari që u vra nga fqinji i tij, Klodian Çalamëni, lëvizte me biçikletë në lagjen e tij. Gazetari Ervis Kuçi ka siguruar për “BalkanWeb” pamje nga kamerat e sigurisë së një banesë në fshatin Greçalli të Fierit, ku shihet se si i mituri, i veshur me një xhup të kuq, ecën me shpejtësi drejt dyqanit për të blerë një bukë.

Ka qenë pikërisht autori, 38-vjeçari ai që siç duket e ka joshur djalin duke i dhënë biçikletën e tij dhe më pas i ka kërkuar atij që t’i blinte diçka. Pamjet në fjalë, që janë edhe të fundit që kanë filmuar Mateon gjallë, janë parë nga familjarët e tij, të cilët të alarmuar kanë njoftuar policinë për humbjen e 8-vjeçarit.

 

SI U ZBULUA VRASJA

Sipas dëshmisë së nënës së viktimës, vogëlushi kishte dalë nga shtëpia në orën 08:00, e nuk ishte kthyer më në banesë. E shqetësuar, nëna e të miturit, shtetasja Flora Vasia ka telefonuar Sallën Operative të policisë dhe ka treguar për rastin. Ndërsa rreth një orë më pas, ajo ka bërë kallëzimin për humbjen e djalit. Menjëherë pas kësaj, uniformat blu kanë nisur kërkimet. Nga provat që ata kishin, pasi kishin parë edhe kamerat e sigurisë që kishin disa banesa dhe biznese në këtë fshat, kanë shkuar për kontroll në banesën e shtetasit Klodian Çalamani dhe pas kërkimeve, kanë gjetur trupin e jetë të fëmijës të mbuluar në baltë në oborr.

 

Autoritetet kanë gjetur më pas dhe kanë arrestuar Çalamanin, i cili ka pranuar krimin. Ai dyshohet se e ka vrarë fëmijën me kazmë, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një lopatë, biçikletë dhe rroba të vrasësit, të cilat janë dërguar në laborator. Mbi 38-vjeçarin rëndon vepra penale “Vrasja në rrethana cilësuese, ndaj të miturit”. Ndërkohë nga ana e grupit hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet për të sqaruar me detaje motivet e kësaj ngjarjeje.