“5 kryetarë të degëve që ishin të shqetësuar, i sqaruam”/ Bardhi i vendosur: Më 18 dhjetor do të zhvillohet Kuvendi Kombëtar i PD-së

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në një komunikim për mediat bëri të qartë se misioni i vetëm i opozitës është rrëzimi i kryeministrit Edi Rama.

Bardhi u shpreh i vendosur, ndërsa theksoi se më 18 dhjetor do të zhvillohet Kuvendi Kombëtar i PD-së.

Ai gjithashtu tha se 5 kryetarë të degëve të cilët kanë shfaqur shqetësime lidhur me Kuvendin, janë sqaruar për çdo çështje.

“Për cilindo që në këto dy muaj i ka fryrë zjarrit të përçarjes demokratët e kanë të qartë që nuk është në interesin e PD, por vetëm në interesin e tij. Theksoj se në 18 dhjetor ora 11:00 zhvillohet Kuvendi Kombëtar i PD, çdo anëtar dhe demokratët do të kenë mundësi për të folur dhe për tu bërë bashkë në misionin e vetëm dhe të përbashkët, atë të rrëzimit të Ramës. Ishin 5 kryetarë të degëve i Vlorës, Devollit, Fushë Krujës, Paskuqanit dhe kryetari i degës 1 në Tiranë, që shfaqën shqetësim lidhur me Kuvendin. Të gjithë janë dëgjuar, janë respektuar dhe janë sqaruar për çdo çështje”, tha Bardhi.