Vrasje në supermarket në Tiranë, viktima mbeti i vrarë pas sherrit për radhën në kasë

Jurgen Duka, Meziri është vrarë sot në mesnatë, në ambientet e një marketi pas një sherri për radhën e pagesës në kasën e dyqanit.

Ngjarja ndodhi pak minuta pas mesnate, kur dy grupe të rinjsh ishin duke blerë pije në një market në rrugën “Irfan Tomini”. Siç duket edhe nga pamjet e sigurisë, të rinjtë shtyhen me njëri-tjetrin, ndërsa shokët e tyre mundohen t’i ndalojnë për të mos përshkallëzuar situata. Më pas viktima, 29-vjeçari Jurgen Duka ka qëlluar me grusht një person ende të paidentifikuar ndërsa ky i fundit shmanget nxjerr një pistoletë dhe e qëllon duke e lënë të shtrirë në tokë.

Të gjithë largohen në moment ndërsa viktima u dërgua me urgjencë në spital ku edhe më pas humbi jetën për shkak të plagëve. Policia po punon për identifikimin e autorit ndërsa janë marrë në pyetje shokët e viktimës. Mësohet se Jurgen Duka është person me precedent të mëparshëm kriminal. Në 2020-ën ai ra në pranga së bashku me Elison Hysenbelli në kuadër të operacionit anti-drogë mes Italisë dhe Shqipërisë që u zhvillua në Marche, Emilia Romagna, Lombardi dhe Liguri dhe do të ekstradohej drejt vendit fqinj për t’u gjykuar.

Mbetet e paqartë se si viktima u lirua nga qelia, ndërkohë vijon puna nga autoritetet për të identifikuar dhe arrestuar autorin e vrasjes. Operacioni “Riviera” u zhvillua nga Prokuroria Rajonale Antimafia në Bolonja, në bashkëpunim me Grupin e Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierisë në Bolonja.