Xhami i makinës ‘Toyota’, detaji që fundosi vrasësit që ekzekutuan dy vëllezërit në Durrës, trupat e tyre u bënë ‘shoshë’ nga plumbat

Detaje të reja kanë dalë për vrasjen e dy vëllezërve në Durrës, Besmir dhe Viktor Haxhisë. Duke iu referuar dosjes së Prokurorisë vëllezërit fillimisht janë ndjekur me makinë dhe më pas janë parakaluar dhe në këto momente janë qëlluar me armë zjarri. Mësohet se autorët që qëlluan kanë qenë në një mjet “Toyota”, pasi në vendgjarje janë gjetur mbetje të mjetit. Sipas policisë,  autorët pasi i kanë ndjekur dhe i kanë parakaluar duke i ekzekutuar me breshëri dy vëllezërit Haxhia, u është thyer një pjesë xhami e  ‘Toyota-s’ me xhama të zinj. Kjo e fundit u fiksua më pas edhe nga kamerat e sigurisë së një subjekti aty pranë.

“Në vendin e ngjarjes ka rezultuar se disa metra para mjetit të viktimave mbi asfalt janë gjetur xhama me ngjyrë të errët të thyera dhe nga këqyrja e njërës pjesë të xhamit janë shkronjat ‘TOYO…”. Pra që ngrenë dyshimin se këto pjesë xhami me ngjyrë janë lënë nga mjeti i autorëve që mund të jetë i mjetit “Toyota”. Nga këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se rreth orës 16:35 në kamerat filmike në rrugë largohen në drejtim të mbikalimit te Nishtulla në Shkozet një atomjet me ngjyrë të zezë që dyshohet në përdorim nga autorët” thuhet në dosje. Nuk dihet ende sesi është thyer xhami i makisë në vendngjarje.

Po kështu në  trupin e viktimës,  Besmir Haxhisë janë konstatuar 20 dëmtime dhe i është gjetur në trup edhe dy predha arme zjarri.  Ndërsa në  trupin e Viktor Haxhisë janë konstatuar 18 dëmtime në kokë dhe pjesën e qafës, si dhe i janë gjetur në trup 2 predha arme zjarri.

Për këtë ngjarje të rëndë Policia ka arrestuar Klevis Allën dhe Altin Ndocin, për të cilët gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”.  Këta akuzohen edhe për vrasjen e Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës.