“Xhuxhi” shqiptar, tmerri i ishullit luksoz: Zbraz vilat e të pasurve

Mediat greke e quajnë “xhuxhi”, për shkak se nuk është më shumë se 1,60 metra i gjatë. Ai kërkohej si një prej grabitësve më brutalë që vepronin në ishullin e Mykonos, ku shënjestronin vila luksoze.

Shqiptari dhe bashkëpunëtorët e tij nuk ngurronin t`i kërcënonin viktimat e tyre dhe t`i merrnin me forcë sendet me vlerë që u gjenin.

Tashmë, “grabitësi i shkurtër i Mykonos” është në duart e policisë, megjithatë identiteti i tij nuk është bërë ende publik.

Mësohet se ajo që e tradhtoi 26 vjeçarin ishte një shishe uji, ku u gjet materiali i tij gjenetik. Ai duket e kishte hedhur kur hynë në një banesë e goditën çiftin që gjetën aty në fytyrë dhe në shpinë, teksa i kërcënonin me armë duke i kërkuar të gjithë paratë që kishin në shtëpi.

Burri 68 vjeçar dhe e shoqja nisën të bërtisnin dhe vajza e tyre që ndodhej një kat më lart, zbriti të shikonte ç`po ndodhte, e grabitësit u larguan me nxitim.