Zaev për ish-shefin e DSK-së Mijallkov: Ndodhi edhe një arratisje

Kryeministri Zaev dha deklaratë për mediat pas seancës së mbajtur gjyqësore për rastin "Titanik", ku në përgjigje të gazetarëve, tha se populli kërkon dhe pret drejtësi

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev lidhur me pohimet për arratisjen e ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov, tha se “ndodhi edhe një arratisje”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Zaev dha deklaratë për mediat pas seancës së mbajtur gjyqësore për rastin “Titanik”. I pyetur nga gazetarët që ta komentojë situatën lidhur me pohimet për arratisjen e Mijallkovit, Zaev tha se populli kërkon dhe pret drejtësi.

“Ndodhi edhe një arratisje. Sigurisht, opinioni është i informuar se mbrëmë gjyqi mori vendim për shqiptimin e paraburgimit për Sasho Mijallkovin, i cili pritet të dënohet në aktgjykim në pajtim me lëndën “Target-Fortesa” deri në fund të kësaj jave. Me kërkesë të Prokurorisë Publike, gjykata mori vendim për paraburgim shtëpiak. Njëjtë si gjithë populli ynë, ashtu edhe unë, gjithsesi jemi të dëshpëruar ngase ende nuk është gjetur dhe arrestuar, gjegjësisht nuk është sjellë në paraburgim shtëpiak personi Sashi Mijallkov. Kërkoj që menjëherë të veprojnë institucionet dhe ta gjejnë Sasho Mijallkovin dhe ta zbatojnë aktvendimin gjyqësor. Jam i bindur se kjo mund të zbatohet”, tha Zaev duke shtuar se pret informacione të hollësishme nga institucionet kompetente të pushtetit ekzekutiv, gjegjësisht nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Pres edhe detaje të plota me hetimin për vet rastin nga gjykata, nga Prokuroria Publike dhe MPB-ja. Populli ynë pret zbardhjen e këtij rasti dhe sigurisht bartjen e përgjegjësisë nëse nuk zbatohet vendimi gjyqësor për vënien në paraburgim për personin për të cilin pritet që të merret aktvendim, për një, sipas meje, nga rastet më të rëndësishme në vend, e ai është epilogu përmes aktvendimit për rastin e përgjimeve”, theksoi Zaev.

Nga dita e djeshme ka filluar kërkimi për ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijallkov, pasi gjykata lëshoi vendim që ai të jetë në paraburgim shtëpiak deri në shqiptimin e aktgjykimit për rastin “Target-Fortesa”. Aktgjykimi duhet të shqiptohet deri në fund të kësaj jave.

Për kapjen e Mijallkovit, është shpallur fletëarrest nacional. Sipas informacioneve në mediat, nga MPB do të kërkojnë edhe shpalljen e fletëarrest ndërkombëtar.

Mijallkov është i akuzuari i parë mes 12 personave të akuzuar në lëndën “Target-Fortesa”.

Në lëndën akuzohen edhe kryeshefi i Drejtorisë së pestë në MPB, Goran Grujevski dhe i punësuari në DSK-së, Nikolla Boshkovski, të cilët janë në arrati në Greqi, si dhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe ish-shefi i kabinetit të Mijallkovit, Toni Jakimovski.

Siç qëndron në aktin prokurorial, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK, në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë të paligjshme janë ndjekur 4.286 numra telefoni për të cilët nuk janë lëshuar urdhëra gjyqësore. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.