Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, pritet të niset për në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, për bisedime me Iranin mbi një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund luftës, raportoi Axios, ndërsa armëpushimi dyjavor pritet të skadojë të mërkurën, transmeton Anadolu.
Raporti sugjeroi se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të pranojë gjithashtu zgjatjen e afatit nëse ka shenja “përparimi”, pasi arritja e një marrëveshjeje të plotë para skadimit të armëpushimit do të ishte e vështirë.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta ushtarake ndaj Teheranit më 28 shkurt, duke shkaktuar hakmarrje nga Irani në të gjithë Lindjen e Mesme. Pakistani siguroi një armëpushim 14-ditor më 8 prill.
Më herët, Trump tha se ishte “shumë pak e mundshme” që armëpushimi të zgjatet nëse nuk arrihet marrëveshje me Iranin.
Raporti pretendoi se iranianët po vonojnë për shkak të presionit të dukshëm nga Garda Revolucionare Islamike (IRGC) mbi negociatorët për të mbajtur një qëndrim më të ashpër: “pa bisedime pa përfundimin e bllokadës amerikane”.
Përderisa Shtëpia e Bardhë tha se zëvendëspresidenti JD Vance do të udhëheqë delegacionin amerikan, Teherani ende nuk ka njoftuar nëse do të dërgojë ekipin e tij dhe ka kërkuar fundin e bllokadës amerikane të porteve iraniane.
Emisarët e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet gjithashtu të udhëtojnë në Islamabad për bisedimet.
Një zyrtar pakistanez tha për Anadolu se të gjitha përgatitjet për bisedimet janë përfunduar dhe autoritetet po presin mbërritjen e delegacioneve, të cilat “pritet sot”.


