“Zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve është vizioni i Qeverisë së Kosovës”

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka organizuar konferencën e parë me bizneset e Prishtinës, në kuadër të fushatës informuese “Ditët e Biznesit Kosovar” dhe dialogut me sektorin privat, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takimin e parë në kuadër të këtyre ditëve, bashkë me ministren e MINT, Rozeta Hajdari, mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilët u takuan me dhjetëra përfaqësues të komunitetit të biznesit nga Prishtina.

Kryeministri Kurti tha se qeverisja e mirëfilltë, zhvillimi ekonomik e mirëqenia e qytetarëve është qëllimi e vizioni i Qeverisë të cilën ai e drejton.

Ai tha se dialogu midis Qeverisë dhe sektorit privat është i domosdoshëm që vizioni i Qeverisë të përkthehet në mënyrë sa më të efektshme në zhvillim, punësim e investim.

“Është e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme për investimet e huaja dhe vendore, pa vonesa administrative, me sundim të ligjit dhe me konkurrencë për cilësi. Zhvillimi nuk mund të arrihet po që se nëse nuk i japim përkrahje zhvillimit të sektorit privat me nxitje të prodhimit dhe rritje të eksportit e cila do të ndikojë në përmirësimin e bilancit tregtar dhe në shtimin e punësimit tek ne”, tha Kurti.

Tutje kryeministri kosovar tha se avancimi i sektorit privat kërkon sistem financiar stabil që është në gjendje për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe me kushte të favorshme për bizneset.

Ministrja e MINT, Hajdari tha se rritja e konkurueshmërisë së sektorit privat; rritja e investimeve; inovacioni dhe ndërmarrësia; infrastruktura e cilësisë; e po ashtu edhe turizmi janë pesë prioritetet e ministrisë që ajo udhëheqë.

Ajo theksoi se ndërmarrësve dhe prodhuesve vendorë u duhet një shtet i së drejtës ku ligjet zbatohen dhe janë të krijuara për t’u shërbyer edhe ndërmarrësve ndërsa në këtë drejtim muajt e fundit kanë miratuar një sërë ligjesh.

“Kontribut të rëndësishëm për rritje ekonomike gjatë këtij viti kanë dhënë investimet po ashtu edhe eksportet, por në anën tjetër është mirë që të ceket se viti 2021 është për 33 për qind më shumë investime se viti 2020, apo 109 për qind më i lartë se viti 2019 kur nuk ishim në pandemi. Eksportet në shtatë muajt e parë të vitit 2021 janë 407 milionë euro dhe përbëjnë vlerën më të lartë të realizuar në shtatë muajt e një viti, që nga viti 2005”, tha Hajdari.

Në kuadër të Ditëve të Biznesit Kosovar, kryeministri Kurti dhe ministrja Hajdari do të zhvillojmë vizita të drejtpërdrejta edhe në qytete tjera të vendit dhe shumë kompani, me qëllim forcimin e prodhuesit kosovar.