“Zjarret në Sarandë ishin strategjike”, Ina Zhupa: Nisin aty ku duhet fshehur një krim. Shteti ka dështuar në mënyrë ulëritëse

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa në fjalën e saj në Kuvend ka folur në lidhje me zjarret në zonën e Sarandës dhe faktin që sipas saj janë zjarre strategjike të cilat bien vetëm atje ku është e nevojshme.

Ajo u shpreh se Ministria e Mbrojtjes nuk është eficente në menaxhimin e zjarreve, ndërsa ka bërë me dije se në katër helikopterë, asnjë nuk është i disponueshëm për tu përdorur për të tillë emergjenca.

“E hapim sezonin turistik me zjarre strategjike të cilat jo rastësisht bien aty ku duhen fshehur gjurmët e një krimi apo ku duhen toka për investitorët strategjik. Në dështim të plotë të menaxhimit të zjarreve.

Ministria e Mbrojtjes nga 4 helikopterë 2 i ka në Poloni, një në Itali dhe të katërtin në Farkë se nuk del dot se ka rrjedhje vaji.

Kjo është eficenca e një shteti të dështuar në mënyrë ulëritëse. Sigurisht që turizmi ka nisur dhe ju e keni nisur në Sarandë shumë më parë me afera duke hequr nga 26 janari me VKM nga zonat e mbrojtura zona të tëra të parkut të Butrintit për ti hapur për ndërtime. Keni avancuar, ndërtuar, oligarkët miqtë tuaj që e dinë paraprakisht çdo të bëjë qeveria, kanë ndërtuar paraprakisht në zonën e Butrintit.

Një nga zonat ku nuk mund të ndërtohej është ndërtuar tashmë. Ju e keni lejuar të ndërtohet, keni bërë një sy qorr. E keni lejuar ndërtimin dhe e keni hequr me VKM e janarin nga zonat e mbrojtjes që ndërrimi të vijojë i qetë e të vazhdojë me 2 resorte të tjera në zona të mbrojtura.

Nuk keni skrupuj që aferën ta shtrini edhe brenda Butrintit, dhe të krijoni atë parajsën e oligarkëve, mbrojtjen e interesit privat, çka e keni bërë nga mandati në mandat duke u perfeksionuar. Sot nuk kam minuta të mjaftueshme për të denoncuar çfarë po bëni në Sarandë e Vlorë”, është shprehur Zhupa.