Zvicra, Norvegjia dhe OKB dhurojnë 30 respiratorë për Shqipërinë

Ministrja Ogerta Manastirliu për këtë kontribut bujar  është shprehur se mbështetja ndërkombëtare në këto moment është e një rëndësie të veçantë për sistemin shëndetësor:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se do t’i shtohen 30 respiratorë të rinj në luftën ndaj COVID-19.

Kontributi prej 700 mijë dollarësh vjen nga tre partnerë ndërkombëtarë ku qeveria zvicerane po dhuron 330,000 USD, qeveria norvegjeze po jep përafërsisht 300,000 USD, dhe Organizata Kombeve të Bashkuara 100,000 USD. Të 30 respiratorët pritet të arrijnë në Shqipëri në dy javët e ardhshme dhe do t’i dorëzohen Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për t’iu shtuar edhe 54 paisjeve ekzistuese.

Ministrja Ogerta Manastirliu për këtë kontribut bujar  është shprehur se mbështetja ndërkombëtare në këto moment është e një rëndësie të veçantë për sistemin shëndetësor:

“Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar me rritjen e kapaciteteve ne luftën kundër COVID-19. Në këtë situatë po perballemi me më shumë të panjohura sesa të njohura dhe e vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë armik të padukshëm është të bashkojmë forcat. Ndaj, mbështetja juaj me pajisjet jetë-shpëtuese në këto ditë të vështira në përballjen me COVID19 është shumë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të sistemin shëndetësor publik në Shqipëri”.

Ambasadori zvicerian në Shqipëri, Adrian Maitre ka shprehur kënaqsinë për kontributin:

“Këto makina bëjnë diferencën midis jetës dhe vdekjes për shumë njerëz. Për ne është kënaqësi që mundëm t’i përgjigjemi shpejt kërkesës tuaj dhe të kontribuojmë së bashku për blerjen e 30 respiratorëve shtesë për spitalet e Shqipërisë”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.

Gjithashtu Ambasadori i Norvegjisë për Shqipërinë, Jens Erik Grondahl theksoi: “Në një kohë shumë të vështirë, e cila po i rëndon shumë shërbimet e shëndetit publik, është e nevojshme të tregojmë solidaritet dhe të bëjmë cfarë kemi mundësi për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të forcuar përpjekjet tona të përbashkëta në mundjen e pandemisë.”

Edhe ambasadorja e UNDP në Shqipëri ka shprehur se kjo nismë demonstron fuqinë e partneriteteve:

“Në këtë kohë të paprecedentë, UNDP qëndron në krah të Shqipërisë. Kjo nismë demonstron fuqinë e partneriteteve për të ndihmuar shtetet të adresojnë shqetësime kritike shëndetësore në mes të pandemisë globale. Jemi të lumtur të bashkojmë forcat me Qeverinë Zvicerane dhe atë Norvegjeze për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve shëndetësore me pajisje kritike të emergjencave mjekësore të cilat mund të shpëtojnë jetë njerëzish”. /Scan