Ekzekutohet në Laç ish efektivi i policisë

Qyteti i Laçit është tronditur mëngjesin e sotëm nga një atentat me armë zjarri. Xhelal Reçi, është ish-punonjësi i policisë i cili u ekzekutua me armë zjarri në afërsi të një banke. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 07:23 të mëngjesit, duke lënë të pajetë Reçin.

Policia ka rrethuar menjëherë zonën dhe ka ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e autorëve të cilët mendohen se ishin dy. Këta të fundit, besohet se e kanë ruajtur dhe vëzhguar Reçin prej disa ditësh. Zona në të cilën ka ndodhur ngjarja e rëndë është shumë pranë komisariatit të policisë dhe e rrethuar me kamera sigurie, të cilat do të përdoren për të bërë identifikimin e autorëve që ishin pa maska.

Policia ka mundur të gjejë në afërsi të një lumi në Milot një mjet tip ‘Toyota’ të djegur, i cili mendohet se është i autorëve. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Djali i Xhelal Reçit po ashtu ka rënë pre e një atentati në vitin 2020. Besnik Reçit i është bërë atentat teksa ishte në makinë bashkë me familjen e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, kur u qëllua nga dy persona që lëviznin me motor. Asnjëri prej tyre nuk u plagos ndërkohë që autorët e ngjarjes ende nuk janë kapur nga policia.