Burg autorit, Kovaçi: Vajzën do e djeg me benzinë! Gjyshja e Hidës: I lumtë dora

Vetë vajza 14-vjeçare, e cila u bë dhe ‘mollë sherri’ për krimin e të shtunës mbrëma ka rrëfyer se është përdorur për shpërndarjen e lëndës narkotike për 1 vit e gjysmë. Ajo tha se Mikelin e kishte më shumë se shok, por miqtë e dy vëllezërve e kanë shfrytëzuar për 1 vit. E mitura ka treguar se i kishte treguar familjes për gjithçka.

Ardit Hida, 24-vjeçari që vrau Florenc Kovaçin dhe la të plagosur rëndë vëllanë e tij Mikel Kovaçi është lënë sot në “arrest me burg”. Para trupës gjykuese, i riu është shfajësuar duke thënë se në momentin e krimit ka qenë i dehur. Ai ka treguar se kishte shkuar të takonte dhe paralajmëronte vëllezërit Kovaçi që të mos i ngacmonin të motrën, të cilën shprehet se e ka vetëm 14 vjeçe. Hida tregon se vëllezërit Kovaçi e kërcënuan dhe se për këtë arsye ai nxorri thikën dhe i qëlloi të dy. Më pas ai shton se është larguar nga vendi i krimit pa e kuptuar as vetë se si ka arritur ta bëjë këtë gjë kur ishte i mbuluar në gjak.

Vetë vajza 14-vjeçare, e cila u bë dhe ‘mollë sherri’ për krimin e të shtunës mbrëma ka rrëfyer se është përdorur për shpërndarjen e lëndës narkotike për 1 vit e gjysmë. Ajo tha se Mikelin e kishte më shumë se shok, por miqtë e dy vëllezërve e kanë shfrytëzuar për 1 vit. E mitura ka treguar se i kishte treguar familjes për gjithçka.

Për mediat ka folur gjithashtu edhe Zef Kovaçi, baba i dy vëllezërve. Deklaratat e bëra nga vetë 14-vjeçarja, Kovaçi i ka hedhur poshtë. Kovaçi ka treguar një rast kur nëna e 14-vjeçares i kishte shkuar në shtëpi në mes të natës për të kërkuar vajzën, por ajo ndodhej në vend tjetër. Sipas tij “e mitura merr njerëz në qafë” me sjelljen e saj. Sa i përket akuzave për shitje të lëndëve narkotike, Zef Kovaçi tha se djemtë e tij bënin punë të ndershme dhe nuk kishin asnjë lidhje me drogën.

Mirela Kovaçi, nëna e vëllezërve Kovaçi në gjendje të rëndë psikologjike, tregon amanetin e fundit të djalit të saj që u vra. Para kamerave ajo shprehet se Florenc Kovaçi i ka lënë amanet vëllanë e tij të vogël, Mikelin. Ajo kërkon drejtësi dhe thotë se autori duhet të kalbet në burg, në të kundërt paralajmëron vetëgjyqësi. Mirela Kovaçi kërcënoi se do të vriste 14-vjeçaren që është bërë shkak për vrasjen e të birit dhe se do ta digjte me benzinë.

Familja e autorit të ngjarjes Ardit Hida ka folur gjithashtu. Gjyshja e Ardit Hidës ka deklaruar se dy vëllezërit ia merrnin vajzën, motrën e autorit, e drogonin dhe e shfrytëzonin për prostitucion. Me tone të ashpra, gjyshja bekoi nipin për vrasjen dhe madje ka kërcënuar se do të eliminojë të gjithë familjen Kovaçi. Ngjarja e rëndë ndodhi tre ditë më parë në Elbasan. Ardit Hida u përlesh me Florenc E mikel Kovaçin duke lënë të vdekur 28-vjeçarin dhe duke plagosur vëllanë e tij, vetëm 19 vjeç. Florenc Kovaçi ka lënë pas dy fëmijë të mitur.