“Dënohen për shpifje anëtarët e PD në KQZ”, reagon PD: Vendosi Qori i korruptuar

Partia Demokratike të hënën akuzoi gjyqtarin Bedri Qori se për shkak të frikës nga vetingu, dënoi për shpifje përfaqësuesit e PD-së në KQZ, të cilët sipas saj, denoncuan përfshirjen e policisë në masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Në një deklaratë për mediat, PD thekson se gjyqtarët e korruptuar si Bedri Qori, i dhanë sot Edi Ramës të drejtën për të përdorur policë të përfshirë në trafikun e drogës, si Olsian Bistro, për të legjitimuar vjedhjen e  zgjedhjeve.

Në vend të ndëshkimit të atyre që morën pjesë në masakrën zgjedhore të 25 Prillit, gjyqtari nën presionin e vetingut dënoi për shpifje përfaqësuesit e PD në KQZ dhe atyre në Gjirokastër, që  denoncuan përfshirjen e policisë në masakrën zgjedhore”, citohet nga deklarata.

PD, mendon se vendimi i padrejtë i gjyqtarit me pasuri të pajustifikuara iu nënshtrua presionit të pushtetit për të mbrojtur një polic të rangut të lartë, që bëri fushatë në Gjirokastër për Ministrin e Brendshëm dhe u shpërblye tani me postin e drejtorit të Policisë në Lezhë.

Nuk është shpifje që Olsian Bistro është i përfshirë në trafikun e drogës, gjatë kohës kur drejtonte Komisariatin e Pogradecit. Ky informacion i përket Shërbimit Informativ Shtetëror, që e identifikoi Olsian Bistron në listën e 128 policëve të përfshirë në trafikun e drogës në 2016-ën”, thotë PD.

Për demokratët shërbimet korruptive të gjyqësorit ndaj Edi Ramës nuk do ta ndalojnë Partinë Demokratike të denoncojë përfshirjen e drejtuesve të Policisë së Shtetit në trafikun e lëndëve narkotike dhe shitblerjen e votave.

Veglat e Edi Ramës në Gjykatë dhe në Polici nuk mund të shuajnë zërin e përfaqësuesve të PD kundër çdo akti kriminal dhe çdo vendimi korruptiv që minon demokracinë”, tha PD.