SPAK kërkesë gjykatës për të pushuar hetimet ndaj Llallës

SPAK ka dorëzuar në gjykatën e Posaçme një kërkesë për pushimin e hetimeve ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Pas dënimit me 2 vite burg në dy shkallët e gjyqësorit, Adriatik Llalla vazhdon të jetë nën hetim për akuzën e “Fshehjes së pasurisë” nga ana e SPAK.

Burimet nuk bëjnë me dije objektin e hetimit, por konfirmojnë se kërkesa për pushimin e tyre është bërë me argumentin se është gjykuar njëherë për të njëjtën vepër penale.

Llalla u arrestua në Romë të Italisë më 13 dhjetor të vitit të kaluar.

Llalla është shpallur fajtor për mosdeklarimin dhe për fshehje të pasurisë për ndërtimin e një kati në një banese në Rrugën e Elbasanit, si dhe për fshehje dhe mosdeklarim të vlerave monetare të shkollimit të vajzës së tij dhe lindjes së djalit në SHBA.

Ish-kryeprokurorit i janë sekuestruar edhe 4 sipërfaqe trualli në periferi të Tiranës si dhe një apartament në Durrës.

Llalla është i pari ish-zyrtar i lartë i drejtësisë që u dënua me burg. Në vitin 2018 ai u përfshi në listën e personave “non grata” nga SHBA.