Në konferencën e sotme për mediat me kryeministrin Edi Rama, Manastirliu vuri theksin në rritjen e ndërgjegjes qytetare, teksa tha se përgatitemi për rritjen e testimeve në gjithë strukturat që kërkojmë të vijojmë aktivitetin.
Ministrja u shpreh se virusi nuk ndryshon, ajo që ndryshon është përgjegjësia qytetare për të zbatuar masat me ato armë të njohura dhe të pranuara. Mbajtja e maskës, larja e duarve dhe distancimi social janë tre armët të cilat i vuri theksin Manastirliu.
“Rritje eksponenciale e infektimeve me koronavirusin e ri. Muaj më parë kemi ndërtuar të gjitha kapacitetet e nevojshme brenda mundësive tona mbi strategjinë, masat, planin që ne të përballemi me skenarët e mundshëm të kësaj epidemie. Aktualisht situata në Shqipëri paraqitet një situatë e kontrolluar por me raste të rritjes së lehtë dhe që nga momenti i parë i rastit të parë ku masat e izolimit dhanë efekte pozitive dhe na krijuan ne premisat për t’u parapërgatitur për situatën që do të vinte më pas në gjithë botën dhe është rikthyer në Europë nuk po e shmangin dot përhapjen e virusit. Virusi ka të njëjtën sjellje, virusi nuk ndryshon, ajo që ndryshon është përgjegjësia qytetare për të zbatuar masat me ato armë të njohura dhe të pranuara. Mbajtja e maskës, larja e duarve dhe distancimi social. Janë tre armët të cilat ne i njohim, i kemi të pranuara por për fat të keq jo të gjithë i zbatojnë. Është momenti për të vijuar të nxisim ndërgjegjen e qytetarëve. Nëse duam të fitojmë betejat që nuk janë të vogla, beteja për rimëkëmbjen e ekonomisë, për rikthimin në normalitet, duhet të fitojmë betejën më të rëndësishme që është beteja me shëndetin.Përgatitemi për rritjen e testimeve në gjithë strukturat e rëndësishme që kërkojmë të vijojmë aktivitetin, siç janë shkollat, biznesi, ndërmarrjet e mëdha. Tek shkollat ishte një sfidë e vërtetë”, deklaroi Manastirliu.



