A lidhet me zgjedhjet liria për shqiptarët pavarësisht numrit të lartë të infektimeve? Përgjigjet Rakacolli dhe Brataj

Anëtarët e Komitetit të Ekspertëve u pyetën sot nga ana e gazetarëve nëse masat lehtësuese që janë në fuqi në vendin tonë, pavarësisht shifrave të infektimeve lidhen me zgjedhjet. Duke iu referuar Greqisë, gazetarët pyetën anëtarët, se si ka mundësi që Shqipëria me shifra shumë më alarmante, nuk ka vendosur masa më të rrepta, për frenimin e përhapjes së Covid.

Rakacolli: Absolutisht që nuk lidhen me zgjedhjet, ne kemi mbajtur një qendrim të arsyeshëm, të kemi parasysh një gjë që Covid 19 ishte një ngjarje e re në të gjithë botën, dhe është një ushtrim që bëhet njësoj në të gjitha vendet.

Komiteti i Ekspertëve i ka arsyetuar gjithmonë masat që ka marrë, edhe pse vende të ndryshme mund të përdorin strategji të ndryshme, është fundi ai që i tregon të gjitha. Jemi vendi me shifrat më të ulëta në rajon, shëndeti i njerëzve është prioritet mbi gjithçka.

Brataj: Dje ose pardje infeksionistët në Greqi janë mbledhur dhe i kanë thënë qeverisë që të ketë një lehtësim masash, sipas tyre investimi më i madh duhet të bëhet në kapacitetin e spitaleve.