Abuzimi me energjinë, 700 milionë lekë të faturuara nga OSHEE-së për 2 vjet

Në prag të një krize të paralajmëruar, vendi po vuan edhe nga abuzimet me energjinë elektrike. Unpublished vendosi të ndiqte në terren një aksion të përbashkët të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me Policinë e Shtetit.

“Unpublished” ka ndjekur një grup kontrolli të OSHEE-së në Shkodër, një nga qytetet me vjedhje të konsiderueshme të energjisë elektrike.

“Brenda 3 javëve kemi arritur deri në 194 procedime ku 87 ndiqen nga prokuroria e rrethit Shkodër dhe të tjerat janë në vazhdimësi”, shprehet Armand Zhuka, Drejtor i OSSH në Shkodër.

Diku me ndërhyrje të paligjshme në sahat, e diku me një lidhje të dytë, shumë konsumatorë nuk paguajnë energjinë që shpenzojnë.

Vjedhësit më të mëdhenj të energjisë elektrike janë konsumatorët familjarë. Ka më shumë se 5 vite që kjo veprimtari e jashtëligjshme është intesifikuar nga abonentët në vendin tonë. Dhe nuk flasim për shifra të papërfillshme.

“Prej 2020-2021 janë identifikuar dhe konstatuar rreth 1500 raste, ku vetëm së fundmi në bashkëpunim me policinë e shtetit, rreth 230-240 konsumator që janë identifikuar duke vjedhur energji apo abuzuar me energjinë elektrike janë denoncuar në polici, thotë Ermal Murati, shef i Departamentit të Matjes dhe Bilancit në OSSH.

E thënë kështu në shifra të përgjithshme të personave të kapur, duket thjesht një numër. Por e përkthyer në vlerë monetare, shuma që është arritur të faturohet nga abonentët që vidhnin më parë energjinë është e konsiderueshme.

“Kemi faturuar apo emetuar diku te 700 milionë lekë të reja për dy vite, ndërkohë që vetëm për muajin tetor ku janë vetëm 230-240 raste të referuara policisë së shtetit dhe për këto 230 raste duke u kthyer te efekti financiar janë faturuar diku te 50 milionë lekë të reja dëm ekonomik”, shprehe Murati.

Në video të xhiruara nga vetë kontrollorët gjatë aksioneve, mund të vihen re mënyra të ndryshme të vjedhjes së energjisë elektrike.

Në zonat rurale ku edhe banorët mendojnë se janë larg syrit të policisë, mënyrat e vjedhjes nuk janë aq të sofistikuara. Lidhjet bëhen direkt me shtyllën e tensionit.

Sipas të dhënave nga Operatori i Shpërndarjes, vjedhja e energjisë elektrike është në masën 20%, nga 45% të regjistruara në 2013, para nisjes së reformës.

“Sot flasim për një nivel humbjesh rreth 20 përqind, dmth rreth 20 përqind e kësaj problematike për sa i përket humbjeve në rrjet apo humbjeve teknike që janë pjesë e abuzimeve në rrjet, janë ulur dhe kjo falë investimeve në rrjet dhe menaxhimit korrekt dhe ndalimit të abuzuesve në rrjet”, deklaron shefi i Departamentit të Matjes dhe Bilancit në OSSH

Por për ish drejtuesit e këtij sektori shifra është fictive, pasi edhe ulja është llogaritur në mënyrë jo të saktë.

“Humbjet deri në 2015 kanë qenë diku te 34 përqind, ku futen vjedhjet dhe të gjitha humbjet teknike. Ka dhe humbje të tjera që futeshin, 34 përqind ishin, dhe humbja tani për efekt tarife flas, përllogaritet diku te 20 përqindëshi, por cfarë ka ndodh, ka ndodh që humbja është sërish në nivele të larta por thjesht deklarohen ulje humbjesh, por humbjet përsëri janë në nivele të larta”, thotë Eduard Elezi, ish-drejtues i ERE-s.

Por sipas Elezit problem nuk jane vetëm vjedhjet në rrjet por mbetet edhe efikasiteti në menaxhimin e këtij sektori.

“Kompanitë kanë marrë shumë borxhe sa nuk arrijnë dot që të marrin borxh në treg dhe detyrohet qeveria shqiptare të ndërhyjë dhe të marrë kredi sovrane për kompani të cilat kanë aktivitet 1 miliard euro”, shton ai.

Nëse do t’i referoheshim të dhënave të OSHEE për vitin 2020, në 842 raste janë evidentuar lidhje me linjë të dytë dhe në 652 raste ndërhyrje të jashtëligjshme.

Ekspertët na tregojnë se etja për të vjedhur energjinë sidomos në rastet kur ajo konsumohet në sasi të mëdha që nuk përballohen nga abonentët, është aq e madhe sa pre nuk bien vetëm aparatet matësa të vjetër, por edhe matësat elektronikë dhe smart. Abuzuesit përshtasin metoda më të avancuara për të kryer vjedhje të energjisë.

Abuzime ka edhe nga vet punonjësit e OSHEE. Në disa raste ata tolerojnë vjedhjet kunderjt një pagese, porn ë disa të tjera ata janë vet abuzuesit. Madje ka pasur edhe arrestime mes tyre.

Ndalimet dhe arrestimet për vjedhjen e energjisë elektrike janë të konsiderueshme, por as kjo nuk po e ul nivelin e tyre.

“Për këtë 9 mujor ne kemi patur 261 raste të vjedhjes së energjisë elektrike ku kanë qene të implikuar 271 autorë, 81 prej tyre janë të arrestuar dhe pjesa tjetër ndiqet në gjendje të lirë”, tregon Josif Shtëmbari, shef i Sektorit kundër krimeve të Pronës.