Ambasada e Türkiye-s në Tiranë organizon ceremoni përkujtimore për 15 Korrikun

Nën kujdesin e Ambasadës së Türkiye-s në Tiranë është organizuar ceremonia përkujtimore për përvjetorin e gjashtë të tentativës për grusht shteti në Türkiye, tentativë e ndërmarrë nga organizata terroriste FETO, ditë që shënohet si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, raporton Anadolu Agency(AA).

Në aktivitetin e organizuar tek Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut në Parkun e Madh të Liqenit Artificial në Tiranë, ishin të pranishëm ambasadori i Türkiye-s në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i Institutit “Yunus-Emre”-Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, koordinatorja e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Tiranë, Emine Gizem Başkan, zyrtarë të tjerë të institucioneve turke, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, qytetarë turq dhe qytetarë shqiptarë.

-“FETO përbën një kërcënim serioz për sigurinë e shteteve”

Ambasadori Atay në fjalën e tij në aktivitet tha se janë mbledhur sot për të mbajtur të gjallë kujtimet e 251 qytetarëve turq që ranë dëshmorë duke i rezistuar tentativës të pabesë dhe të përgjakshme të grushtit të shtetit nga organizata terroriste FETO, natën e 15 korrikut 2016.

Duke kujtuar bombardimin e institucioneve turke nga puçistët, si Parlamentin, Kompleksin Presidencial, strukturat e policisë dhe të tjera, ambasadori turk tha se kanë kaluar gjashtë vite nga tentativa e dështuar për grusht shteti të FETO-s dhe gjatë kësaj kohë Türkiye po lufton këtë organizatë terroriste si në Türkiye, ashtu edhe jashtë saj, në shtete e tjera ku ndodhet.

“FETO, e cila ka humbur shtyllën kurrizore në vendin tonë tani po përpiqet të mbijetojë duke përdorur strukturën e saj jashtë vendit. Për këtë arsye, përbën një rëndësi të veçantë nga pikëpamja e ndërgjegjësimit të miqve tanë ndaj kërcënimit të FETO-s për sigurinë e tyre kombëtare dhe rendin kushtetues”, tha ai.

Ambasadori Atay theksoi se qeveria turke prej vitesh kërkon ekstradimin e kreut të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gülen, nga SHBA si anëtarëve të tjerë të FETO-s nga vendet evropianë drejt Türkiye, duke shtuar se “Fatkeqësisht këto kërkesa ende nuk janë përmbushur”.

“Dua të nënvizoj faktin se FETO përbën një kërcënim serioz për sigurinë e shteteve në të cilat ushtron aktivitet. Në këtë kontekst, për fat të keq Shqipëria është një nga vendet ku FETO ruan praninë e saj, veçanërisht në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. Nga ana tjetër, një numër në rritje i qeverive të botës e kuptojnë rrezikun që paraqet kjo organizatë terroriste për veten e tyre dhe po ndërmarrin hapat e nevojshëm”, tha ai.

Ambasadori turk shtoi më tej se FETO gjithashtu angazhohet në aktivitete të paligjshme, si mashtrime, pastrim parash dhe kontrabandë armësh, duke shtuar se si rezultat i kësaj, anëtarët e FETO-s po spastrohen nga sektori publik dhe privat në shumë shtete.

“Pas vitit 2016, shumë shkolla jashtë vendit që ishin të lidhura me këtë organizatë terroriste i kaluan në administrim Fondacionit Turk Maarif. Sot Shkollat e Fondacionit Maarif funksionojnë në shumë shtete dhe tashmë me aktivitetet e tyre ofrojnë një arsim të cilësisë së lartë në rangun botëror”, tha ambasadori Atay.

Ambasadori Atay u shpreh se lufta kundër FETO-s do të vazhdojë me një vendosmëri të madhe dhe theksoi se gjithashtu kjo është e nevojshme të kryhet nga të gjithë vendet ku ka prezencën organizata terroriste FETO.

– “Ngjarjet e hidhura të 15 korrikut 2016 janë një leksion i madh jo vetëm për Türkiye-n, por për demokracinë e çdo vendi”

Në emër të organizatave të shoqërisë civile përshëndeti Petrit Zeneli, kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore të Krahinës së Vakëfeve, Korçë, i cili tha se rimblidhen sot në të njëjtin vend për të përkujtuar dhe nderuar mes emocionesh e lotësh ngadhënjimin mbi tentativën e dështuar për grusht shteti nga ana e grupimit të fshehtë komplotisto-terrorist gylenist.

“Është i gjashti vit ky që ndiejmë dhimbje e pikëllim, si të jemi para Bashkisë së İstanbul-it famëmadh, para detit të fotografive të martirëve, përshfaqur njëri më i ri se tjetri, njëri më i bukur se tjetri, njëri më i qeshur se tjetri, por që, fatkeqësisht, dora gjakatare puçiste e lëvizjes FETO ua preu në mes udhëtimin e jetës, ëndrrat e bukura të asaj mbrëmjeje ngazëlluese vere”, tha Zeneli.

Duke folur për tentativën për grusht shteti, Zeneli tha se ishte cenuar rendi kushtetues i një prej fuqive më të mëdha demokratike, ushtarake dhe ekonomike, të globit, i superfuqisë rajonale, garancisë për paqe dhe siguri, duke shtuar se “Ndaj, pa dallime politike, fetare e gjeografike lindje e perëndim, të gjithë u gjendën në përkrahje të popullit të madh turk dhe të presidentit Erdoğan. Ngjarjet e hidhura të 15 korrikut 2016 janë një leksion i madh jo vetëm për Türkiye-n, por për demokracinë e çdo vendi në botë”.

“Thirrja asokohe e presidentit Erdoğan drejtuar popullit të tij, ‘Dilni në shesh të shpëtojmë Türkiye-n (Turqinë)’, ishte frymëzim flakadan për të tërë intelektualët dhe qytetarët e thjeshtë turq, që për interesat e atdheut e morën vdekjen në sy dhe ia dolën. Ajo thirrje piskamë mbetet kurdoherë flamur beteje, për këdo, në rrugën e bukur e të vështirë të përparimit e prosperitetit”, tha Zeneli.

Nga këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Türkiye-s në Tiranë, dr. Adem Gerlegiz, u bënë lutje për dëshmorët, ndërkohë u lexua edhe Kur’an-i Kerim.

Në kuadër të shënimit të 15 Korrikut, nën kujdesin e Institutit “Yunus-Emre”-Tiranë do të shfaqet edhe filmi “Ngadhënjimi” (Şafak Vakti), si dhe do të organizohen edhe aktivitete të tjera.