Grenell: Refuzimi i gazit amerikan la Kosovën jashtë Samitit të Biden

Për Richard Grenell, ish të dërguarin e Shtëpisë së Bardhës për dialogun Kosvë-Serbi, qeveria Kurti ka bërë një gabim të madh në refuzimin e projektit amerikan për gazin.

Pikërisht ky refuzim, ishte arsyeja që e la jashtë Kosovën nga Samiti për Demokraci, organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk e di pse është refuzuar projekti amerikan për gazin nga Kurti, por është refuzuar një grumbull parash amerikanë për të përmirësuar jetët e njerëzve në Kosovë. Dhe kjo duhet të shpjegohet. Është një gjë e dhimbshme, sepse është për të mirën e progresit demokratik dhe Kosova nuk është ftuar në Samitin për Demokraci. Mendoj që ka arsye të shumta që nuk është ftuar, por mendoj se keni refuzuar shumë para për të investuar në vendin tuaj dhe ky është një problem”, tha Grenell.

Duke qëndruar gjithmonë te qasja ndaj qeverisjes Kurti, ish-emisari për dialogun, në një intervistë dhënë për RTV Dukagjinin, pranoi se nuk ka qenë dakord me politikat e ndërmarra nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kur hyri në zyrën e kryeministrit për herë të parë.

Por, ai hodhi poshtë deklaratat e shefit të grupit të parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, se Grenell ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë “Kurtit 1”, apo të ketë bërë presione për t’ia arritur këtij qëllimi.

“Kjo është e gabueshme, 100 për qind e gabueshme. Duhet t’i kërkoni mesazhet nëse dëshironi t’i shihni. Njerëzit të cilët kanë mesazhe duhet t’i tregojnë. Ne nuk kemi bërë kurrfarë presioni për rrëzimin e Kurtit, përveç që kemi kërkuar të implementohen politikat që ne mendojmë që janë në dobi të Kosovës”, u shpreh Grenell.

Po gjatë kësaj interviste, Grenell dha variantin e tij edhe mbi pretendimet se paguhet nga Serbia për lobim.

“Nuk është e vërtetë që jam paguar nga Serbia. Ky është një lajm i rremë nga një individ që nuk më njeh mua dhe nuk e di se çfarë bëj unë. Dhe kjo është shpifje dhe gënjeshtër. Nuk është e vërtetë dhe kjo është bërë nga njerëz vetëm për të bërë drama dhe lajme të rreme. Mos përsërisni lajme vetëm për klikime”, tha ai.