Detaje tragjike/ Nënë e bir u ‘shuan’ në Osum, 25-vjeçarja kishte vetëm 20 ditë që kishte marrë patentën. Çfarë thotë ekspertiza për shkakun e vdekjes

Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi dje mbarë opinionin publik, ku një nënë në timon humbi kontrollin dhe ra në lumin Osum, ndërsa humbi jetën bashkë me të birin 6 vjeç. Gazetarja Eneida Petova raporton për BalkanWeb, duke iu referuar burimeve të ekspertëve të qarkullimit rrugor, 25-vjeçarja Klaudia Xhaferaj, kishte vetëm 20 ditë që kishte marr patentën.

Sipas këtyre burimeve, mësohet se aksidenti është shkaktuar si pasojë e humbjes së kontrollit nga ana e drejtueses së mjetit dhe paaftësia e saj për të manovruar ka bërë që ajo të përfundojë në lumin Osum.

Dje u publikuan edhe pamjet nga momenti i aksidentit tragjik në rrugën ‘Antipatrea’ në Berat, ku në mes të ditës, krejt papritur e reja humbi kontrollin pas një parakalimi me mjetin e saj ‘ML’ dhe pas disa manovrash, theu kangjellat e rrugës dhe përfundoi në lumë.

Ndërsa sipas ekspertizës mjeko ligjore vdekja e nënë e bir, është shkaktuar nga mbytja, pas një qëndrimit për një kohë të gjatë në ujë.