“Më thonë ku ikën lopët, ngordhën dhentë?”, INSTAT i shfryn propagandën për bujqësinë Ramës: Në 4 vite 29% lopë e 20% dele më pak (VIDEO)

Prej disa vitesh në Shqipëri ulja e lindjeve dhe një emigrim masiv ka ndikuar ndjeshëm në uljen e numrit të popullsisë. Por paralelisht me këtë po ndodh një tjetër proces shpopullimi, kësaj radhe jo njerëzor, ai i uljes drastike të numrit të kafshëve kryesore të blegtorisë, lopëve, deleve, dhive dhe derrave. Kështu sipas shifrave më të fundit të institutit të statistikave në 2021 në të gjithë vendin ishin 337 mijë krerë gjedhë, nga 475 mijë krerë që ishin në 2017. Rënia është me 138 mijë krerë ose plot 28%.

Të leshtat ku futen delet, në katër vite janë reduktuar me 20% pasi në nga 1 milion e 925 mije krerë, numri i tyre ka shkuar në 1 milion e 480 mijë krerë, ose 380 mijë krerë më pak. Të njëjtin fat kanë pasur edhe numri i dhive që kanë rënë nga 933 mijë krerë në 775 mijë krerë, diferenca është 15.5 për qind, me 142 mijë krerë me pak. Në katër vite numri i derrave ka një rënie prej me 25 mijë krerë ose 13.6 për qind, thotë INSTAT. Më konkretisht nga 180 mijë në 159 mijë. Trendi vazhdon me ulje edhe më një thudrakët, si kuajt dhe gomarët me një reduktim prej gati 14%. Të vetmet popullsi kafshësh që kanë njohur rritje në periudhën 2017-2021 janë bletët dhe pulat. Por e sigurt është se pas pandemisë së gripit këtë vit edhe krerët e pulave janë reduktuar. Procesi duket se po dëmton fermerët, blegtorinë shqiptare dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Kryeministri edhe pse jo drejtpërdrejt komentoi shifrat e INSTAT duke ngritur dyshime mbi mënyrën sesi janë bërë statistikat.

“Shqipëria meqë kemi dëgjuar shumë, që qumështi falimentoi, ikën lopën, Shqipëria prodhon 97% të qumështit që konsumon. Më thoni ku ikët. Nëse shikojmë realitetin me shifrat e konsumit ne na dalin pyetje të tjera si bëhen statistikat, si janë regjistruar miliona lopa që u zhdukën, kanë ngordhur”, tha Rama.

Ndërkohë që përveç numrit të lopëve dhe kafshëve të tjera të blektorisë që janë me rënie INSTAT thotë se në katër vite sasia e qumështit të prodhuar në vend nga 2017 deri në 2021 ka rënë me 143 mijë tonë ose 12,35%, ndërsa prodhimi i mishit peshë e gjallë ka një rënie mbi 8% ose me 13 mijë e 120 ton, produkte këto që janë zëvendësuar me qumësh dhe mish importi.