Fillon puna për sigurimin e teksteve mësimore në shqip në Luginën e Preshevës

“Ka filluar puna për sigurimin e teksteve mësimore në shkollat shqiptare”. Kështu deklaroi për “Mirëmëngjes” Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.

“Kemi rifilluar takimet për realizimin e planin shtatëfish. Duam ta përmbyllim ciklin për shkollat 8-vjeçare dhe vitin e ardhëm të fillojmë për sigurimin e teksteve mësimore për vitin e parë gjimnaz. Për këtë është më vështirë për shkak të numrit të lartë të programeve të shkollave të mesme”, u shpreh z. Mustafi.

Ai nënvizoi se priten diskutime sa i përket lëndës së gjeografisë dhe historisë, por tha se deri më tani kanë siguruar vetëm lëndën e historisë së klasës së gjashtë.

Më 18 nëntor ka pasur një takim mes Ministres së të Drejtave të Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Social në Serbi, Gordana Çomiq dhe përfaqësuesve shqiptarë në lidhje me këtë çështje.

Në këtë takim u arrit pajtimi që të vendoset bashkëpunimi me Institutin për Vlerësimin e Cilësisë së Arsimit dhe Edukimit që të përshpejtohen procedurat për miratimin e teksteve shkollore për shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe.

“Është arritur marrëveshja që miratimi i teksteve të bëhet deri në muajin prill të vitit të ardhshëm, kur të publikohet katalogu i teksteve”, tha Çomiq.