“Fyerja ndaj Profetit Muhamed është një fyerje për të gjithë botën islame”

Damka, ka reaguar për mosshkarkimin nga ana e Qeverisë të ambasadorit kosovar në Francë i cili përhapi në rrjete sociale artikuj të një gazete franceze ku përfshiheshin karikaturat e Charlie Hebdo për profetin Muhamed

Zëvendëskryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka ka kërkuar që Qeveria e Kosovës ta shkarkojë ambasadorin e Kosovës në Francë, Qëndrim Gashin, i cili shpërndau në rrjete sociale artikuj gazetaresk ku përfshiheshin karikaturat e profetit Muhamed, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në rast të mosshkarkimit të ambasadorit Gashi, deputeti Damka i cili vjen nga radhët e komunitetit turk në Kuvend, ka thënë se nuk do ta votojë asnjë ligj, përpos ligjit për COVID-19 dhe ligjit për rimëkëmbje ekonomike, derisa një gjë e tillë të ndodhë.

Sipas Damkës i cili përfaqëson Grupin Parlamentar 6+ në Kuvendin e Kosovës, ambasadori Gashi ka futur Kosovën dhe vetën në një pozitë mjaft të vështirë me veprimin e tij.

“Si Grup Parlamentar 6+, unë do të doja t’ju informoja nga këtu që përveç ligji COVID 19 dhe ligji për rimëkëmbje ekonomike ne nuk do të votojmë asnjë legjislacion në parlament si 6 deputetë, deri në momentin e shkarkimit në fjalë, duke ftuar në praninë tuaj edhe njëherë kryeministrin që të ndërmarr hapat e nevojshme në drejtim të shkarkimit të menjëhershëm të personit në fjalë”, ka thënë Damka.

Damka tha se ambasadori Gashi shpërndau një mesazh mosrespektues dhe anti-islam, duke shpërfillur “Kushtetutën dhe vlerat themelore të Republikës së Kosovës, i cili thekson rëndësinë tolerancës ndërfetare dhe të karakterit unitar, duke shkaktuar një dëm vështirë të kompensueshëm ndaj imazhit të Kosovës”.

Deputeti Damka shtoi se edhe përkundër që u ka dërguar letër me kërkesë për shkarkim të ambasadorit, kryeministrit Avdullah Hoti dhe Hashim presidentit Thaçi, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Fyerja ndaj Profetit Muhamed është një fyerje për të gjithë botën islame. Të gjithë duhet të reagojmë pa bërë dallime ndërmjet turqve, shqiptarëve, boshnjakëve, romëve dhe goranëve kur bëhet fjalë për veprime që dëmtojnë fenë dhe besimin tonë, prandaj është turp i madh për ne që të heshtim dhe të mos hedhim asnjë hap në një vend ku 90 për qind e popullsisë i përket fesë islame”, ka shtuar ai.

Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, të hënën e 19 tetorit, kishte ripostuar faqe të gazetës franceze “Le Figaro”, ku si ilustrim ishin përdorur karikaturat e Charlie Hebdo, vetëm pak ditë pas vrasjes së mësuesit francez Sameul Paty në Francë. Vetë ambasadori Gashi, këtë veprim e ka arsyetuar me atë se ai “nuk i censuron mediat”.

Akti i ambasadorit kosovar në Francë ngjalli reagime të shumta nga qytetarët, deputetë tjerë të Kuvendit si dhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK). Kjo e fundit e ka konsideruar “të papranueshëm dhe të dënueshëm” veprimin e ambasadorit kosovar në Francë, duke thënë se një gjë e tillë “vetëm sa rrit mos-durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër-njerëzor.