Kryediplomatja e Kosovës uron popullin e Turqisë për Ditën e Republikës

Në urimin e kryediplomates Haradinaj-Stublla, drejtuar popullit dhe institucioneve të këtij shteti, theksohet se Republika e Kosovës është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe diplomatik me Republikën e Turqisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Meliza Haradinaj-Stublla, në emër të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, ka uruar popullin turk për Ditën e Republikës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata për media nga MPJD, në urimin e kryediplomates Haradinaj-Stublla, drejtuar popullit dhe institucioneve të këtij shteti, theksohet se Republika e Kosovës është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe diplomatik me Republikën e Turqisë.

Shefja e diplomacisë në urimin e saj ka shprehur falënderime të veçanta për mbështetjen e Turqisë “në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”.

“Pavarësia e Republikës së Kosovës është njohur nga Republika e Turqisë më 18 shkurt të vitit 2008, dhe të njëjtën ditë janë vendosur edhe marrëdhënie diplomatike midis të dyja vendeve”, njofton komunikata nga MPJD.

Turqia kremton sot 97-vjetorin e themelimit Republikës. Më 29 tetor të vitit 1923, Mustafa Kemal Atatürk zyrtarisht shpalli emrin e kombit dhe statusin e vendit si republikë. Më pas u zhvillua një votim në Asamblenë e Madhe Kombëtare, dhe Atatürk, me votim unanim u zgjodh presidenti i parë i Republikës së Turqisë. Që atëherë, Turqia feston Ditën e Republikës çdo 29 tetor.