Gjysmëhëna e Kuqe Turke shpërndan ushqim për banorët e Gazës

Gjysmëhëna e Kuqe Turke gjithashtu inicioi fushatën "Palestina e plagosur. Zgjate dorën" për të "shëruar plagët" e palestinezëve

Gjysmëhëna e Kuqe Turke, e njohur gjithashtu si Kizilay, filloi shpërndarjen e vakteve të ngrohta për viktimat e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, njoftoi të enjten agjencia e ndihmave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia bëri të ditur se 40.150 persona janë strehuar në 26 shkolla, përfshirë 14 shkolla në veri të Gazës, 11 në Gazën qendrore dhe një në Rafah.

Grupi i ndihmës do të shpërndajë ushqim për banorët në shkollën fillore në Jabalia në veri të Gazës për 14 ditë gjatë fazës së parë të projektit dhe do të vazhdojë të zgjerojë shpërndarjen me kuzhinat popullore në rajon në ditët në vijim.

Ekipet e Kizilay që punojnë në rajon janë në kontakt me zyrtarët e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze dhe po punojnë për furnizimin e materialeve të ndihmës të nevojshme urgjente, thuhet në deklaratë.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze ka kërkuar mbështetje nga organizatat e ndihmës, veçanërisht nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke, për shkak të mungesës së ilaçeve dhe ndihmës mjekësore të mjaftueshme në Kuds dhe Gaza. Gjithashtu ka mungesë të ambulancave për të arritur tek të plagosurit.

Porositen dy ambulanca të vogla

Në bashkërendim me delegacionin palestinez, Kizilay dorëzoi pajisje mjekësore me vlerë 500 mijë lira turke (60 mijë dollarë) tek Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze për t’u përdorur në spitale gjatë fazës së parë të projektit, thuhet në deklaratë.

Në fazën e parë, u porositën dy ambulanca të vogla për transportin e pacientëve palestinezë të plagosur në pikat ku ata mund të marrin shërbime shëndetësore, thuhet më tej, duke shtuar se ambulancat do t’u dorëzohen zyrtarëve të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

Ndërsa 7.500 pako me ushqime iu dorëzuan personave të prekur nga sulmet në Rripin e Gazës, kurse spitalit Shifa në Rripin e Gazës iu dorëzua nafta e blerë për gjeneratorët.

Rreth 2.500 pajisje strehimi, me jastëkë dhe batanije, u përgatitën gjithashtu për t’iu shpërndarë familjeve që u strehuan në shkolla sepse shtëpitë e tyre u shkatërruan në Rripin e Gazës.

Gjysmëhëna e Kuqe Turke gjithashtu inicioi fushatën “Palestina e plagosur. Zgjate dorën” për të “shëruar plagët” e palestinezëve.