I jepet lamtumira e fundit ish-kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Kadir Topbaş

Kadir Topbaş u hospitalizua në nëntor pasi ishte infektuar me koronavirus...

I jepet lamtumira e fundit ish-kryetarit të Bashkisë Metropolitane të Stambollit, Kadir Topbaş, i cili ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia mortore për Topbaş-in u organizua në Komunën Beyoğlu të Stambollit si dhe në Bashkinë Metropolitane të Stambollit në rrethin Saraçhane.

Namazi i xhenazes u fal në xhaminë Fatih, ndërsa e kryesoi Kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë, Ali Erbaş.

Përveç të afërmve të Topbaş-it, në namazin e xhenazes të pranishëm ishin presidenti Recep Tayyip Erdoğan, kryetari i Kuvendit, Mustafa Şentop, zv/presidenti Fuat Oktay, ish-presidenti Abdullah Gül, ministri Brendshëm, Süleyman Soylu, ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, kryetar i partisë Ardhmëria (Gelecek), Ahmet Davutoğlu, përfaqësues të partive të ndryshme dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë.

Presidenti Erdoğan në fjalimin e tij të rastit, tha se janë përballë një fatkeqësie, duke theksuar se “koronavirusi na ka ndarë prej shumë miqve tanë”.

Topbaş u hospitalizua në nëntor pasi ishte infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19).

Ai u zgjodh kryetari i Bashkisë Metropolitane të Stambollit në vitin 2004 nga radhët e Partisë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) ku edhe shërbeu deri në vitin 2017.